2.6 C
Pristina
Wednesday, November 6, 2024

Buy now

spot_img

Macron: Kosova dhe Serbia mund të përballen me pasoja nëse nuk sillen me përgjegjësi

Presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëroi të hënën Kosovën dhe Serbinë se do të përballen me pasoja nëse nuk veprojnë me përgjegjësi kundruall situatës në veri të Kosovës. Gjatë një fjalimi në konferencën vjetore të ambasadorëve francezë në Paris, presidenti Macron theksoi se Franca dhe Gjermania kanë ofruar një propozim për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke iu referuar planit për të cilin palët u pajtuan më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.

“Presim një ri angazhim të qartë nga të dyja palë”, tha presidenti Macron duke u bërë thirrje atyre të punojnë për organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës, që serbët të kthehen në institucionet e vendit dhe situata të shtensionohet.

“Franca dhe Gjermania i kanë bërë zotimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dyja palët nuk sillen me përgjegjësi”, tha presidenti Macron, duke theksuar se duhet qasje e kujdesshme posaçërisht kur qëndrueshmëria e Ballkanit Perëndimor është në rrezik.

Bashkimi Evropian vendosi në qershor masa ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak të siç thuhet, dështimit të qeverisë që të marrë hapa për uljen e tensioneve në komunat veriore të vendit, të banuara me shumicë serbe.

Tensionet shpërthyen pasi grupe qytetarësh serbë u hodhën në protesta kundër vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e uljes së tensioneve, duke përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe duke bërë veprime për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Por Bashkimi Evropian ka thënë se veprimet e qeverisë “janë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të tjerë” për të zbutur krizën në veri dhe zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Përmendja e çështjes së vizave nga presidenti Macron, nga vëzhguesit në Kosovë u pa si një paralajmërim për thellim masash ndëshkuese për shkak të situatës në veri.

Në muajin prill Bashkimi Evropian vendosi që qytetaret e Kosovës të përfshihen në regjimin e udhëtimit pa viza nga 1 janari i vitit 2024. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në këtë regjim dhe e fundit në proceset integruese evropiane.

Presidenti francez tha të hënën se Bashkimi Evropian është në rrugën e zgjerimit, veçanërisht me rajonin e Ballkanit Perëndimor, por blloku duhet të reformohet nëse dëshiron të integrojë vende të reja./VOA

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img