LVV në Shqipëri, për 28 Nëntor organizojnë marsh në Tiranë

44
Advertisement

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri, duke përmendur festën e 28 Nëntorit që po afrohet, konsiderojnë se shqiptarët nuk janë të bashkuar.

Advertisement

LVV, përmes një komunikate, iu bën thirrje shqiptarëve që të bashkohen për ndryshime sociale, ekonomike dhe politike, për rritje të sigurisë e për përparim shoqëror.

Ata, kërkojnë të ecet me hapa konkretë integrues, mes Shqipërisë e Kosovës.

“Shqiptarët nuk e kanë luksin ta shohin 28 Nëntorin thjesht si festë. 28 Nëntori është projekt i pazbatuar. Data përkujton shpalljen e Pavarësisë për një Shqipëri të bashkuar e të begatë, për të cilën dhanë gjithçka heronjtë kombëtarë. Por Shqipëria sot nuk është e begatë, shqiptarët nuk janë të bashkuar. Prandaj, 28 Nëntori është projekt i gjallë, që thërret për ndryshime sociale, ekonomike dhe politike, për rritje të sigurisë e për përparim shoqëror. Këto synime kërkojnë të ecet me hapa konkretë integrues, mes Shqipërisë e Kosovës. Ky integrim do të rrisë cilësisht demokracinë, do të zhvillojë ekonominë, do të forcojë shtetformimin, dhe do të përmirësojë ndjeshëm pozitën e shqiptarëve autoktonë në trojet e tjera dhe të atyre që jetojnë në mërgim”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, 28 Nëntori, data që na kujton se për sa kohë shqiptarët janë të ndarë, nuk do të arrijnë begati, zhvillim e siguri.

“Pavarësia pa sovranitetin e brendshëm fillon t’i përngjajë një guaske të boshatisur. Demokracia nuk ka kuptim tjetër përveç sovranitetit, dhe sovraniteti është mundësia e një populli për të zhvilluar vetveten. Goditjet ndaj së përbashkëtës, rrënimi i publikes kudo ku ajo shfaqet, po ia cenon Shqipërisë sovranitetin e brendshëm përditë e më shumë. Sovraniteti, zhvillimi dhe drejtësia në Shqipëri janë të pandashme nga çështja kombëtare. Kush rrënon sovranitetin e Shqipërisë, kush rrit pabarazinë shoqërore, kush përfiton prej mjerimit e varfërimit të shumicës, kush thellon padrejtësinë duke dobësuar shtetin e demokracinë, është drejtpërdrejt kundërshtar i çështjes kombëtare shqiptare”, thuhet më tej, njofton Telegrafi.

LVV, konsideron se, çështja kombëtare nuk është togfjalësh folklorik, ceremonial e ritual, i zbrazur nga përmbajtja, por thonë se është drejtësi e mohuar aktuale dhe historike, sa ç’është edhe projekt për të ardhmen e afërt.

“Është çështje e trashëgimisë kulturore, sa ç’është dhe e prodhimit dhe punësimit. Është çështje për të drejtat e grave e barazinë njerëzore, sa ç’është edhe luftë kundër varfërisë, diskriminimit dhe pabarazive ekstreme. Ajo është çështje e demokracisë dhe organizimit qytetar që vjen nga populli, kundër oligarkisë e mafias që na sundon nga lart. Është nevojë për mirëmenaxhim të burimeve dhe pasurive kombëtare natyrore, ashtu siç është edhe domosdoshmëri për zbatimin e një strategjie për mbrojtën e mjedisit. Çështja kombëtare na lidh me njohjen, përdorimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, siç na lidh edhe me të drejtën për arsim publik cilësor e falas në të gjitha nivelet. Problemet tona burojnë nga të njëjtat shkaqe, prandaj vetëm përpjekja jonë e përbashkët u jep atyre zgjidhje. Bashkimi i kauzave brenda projektit kombëtar sjell mobilizimin e përbashkët qytetar për drejtësi e zhvillim”, theksohet në njoftim.

LVV në Shqipëri, konsiderojnë se tre dekadat e pluralizmit në Shqipëri janë karakterizuar shpesh nga papjekuria dhe makutëria politike sa i përket çështjes kombëtare, demokracisë dhe rolit të shtetit në raport me shoqërinë e me zhvillimin ekonomik.

“Pushteti politik shpesh e ka dorëzuar dhe privatizuar publiken, duke rrudhur sovranitetin, e nganjëherë është bërë njësh me klane e oligarkë që kanë monopolizuar e kartelizuar ekonominë kombëtare. Problemet dhe padrejtësitë e mëdha socio-ekonomike na shfaqen në mënyra nga më brutalet në secilën sferë. Prej tyre preken shtresa të ndryshme shoqërore. Ata që vuajnë më shumë nga këto padrejtësi janë gratë, fëmijët, të moshuarit, të rinjtë, njerëzit që jetojnë në periferi, në fshatra e në provinca, si dhe minoritetet. Privatizimet dhe forma e tyre e modës së fundit, PPP-të, pasi shkatërruan dhe mbyllën shumë industri e sektorë ekonomikë, tashmë po rrënojnë arsimin dhe shëndetësinë, po pengojnë kalimin në akset e rëndësishme rrugore, dhe po prishin lumenjtë e bregdetin, po ndotin ajrin dhe ujin e pijshëm. Pabarazia e skajshme e krijuar në Shqipëri është shoqëruar me papunësi e me rroga të ulta, duke u mohuar të drejtat bazë punëtorëve, që prej punës pa kushte e siguri mbeten shpesh me probleme të rënda shëndetësore, e jo rrallë humbin dhe jetën e tyre. Tregtia dhe importet kanë fituar përparësi përballë prodhimit vendas, që mbetet i pambrojtur. Fermerët e bujqit janë lënë në mëshirë të fatit, prodhimet e tyre shpesh përfundojnë në kalbje, përballë një konkurrence të pandershme nga mallra të importuara, që subvencionohen haptazi ose fshehurazi në vendet e origjinës”, thonë ata.

Ata shprehen se qytetarët e Shqipërisë janë të pakënaqur nga kjo situatë, dhe e kanë shprehur indinjatën e tyre me protesta, por edhe me largime masive nga vendi.

“Mërgimi masiv është përgjigje e dëshpëruar ndaj mënyrës së qeverisjes, politikave neoliberale ekonomike, dhe dështimit të drejtësisë e sigurisë. Ka patur vende të tjera, që problemin e mërgimit e kanë patur edhe më të madh, por duke investuar në prodhim e duke ndërtuar shtet të së drejtës i kanë përmbysur trendet negative demografike. Shpopullimi mund dhe do të përmbyset nga vetë shqiptarët me vullnet e me sakrifica për një organizim të qëndrueshëm që sjell transformimin e shoqërisë me modele ekonomike që ulin pabarazinë dhe sjellin zhvillim”, thuhet  më tej.

Në këtë 28 Nëntor, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri fton të gjithë qytetarët të marrin pjesë në një marshim në Tiranë, në ora 12:00, nga Monumenti i “Gjergj Kastriot Skënderbeut” te monumenti i “Adem Jasharit”.

“Heronjtë kombëtarë nderohen jo thjesht me lule dhe ceremoni, por kur ne njëmend ecim në rrugën që ata kanë shtruar. Ne do të ecim në rrugët e kryeqytetit për të bashkuar kauzat dhe vullnetet, njerëzit dhe zemrat, kundër padrejtësive dhe pabarazive ekstreme, për të kërkuar hapa konkretë për integrimin kombëtar për zhvillim e drejtësi, drejt bashkimit për progres dhe siguri, për emancipim”, përfundon njoftimi, përcjell Telegrafi.

PostAdssFotoja e reklamës