Lëvizja Vetëvendosje assesi të pajtohet me rezultatet e votave me postë për LDK-në për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Pasi u ankua dhe kërkoi anulimin e mbi 18 mijë votave të diasporës për LDK-në në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), tashmë kjo parti ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës lidhur me këtë çështje – me të njëjrën kërkesë.
“Lëvizja Vetëvendosje edhe njëherë kërkon anulimin e 18.933 votave të LDK-së të ardhura në mënyrë të manipuluar, rivotimin me postë dhe largimin nga lista të kandidatëve që kanë marrë vota në mënyrë të pakrahasueshme më shumë përmes votimit me postë sesa në vendvotime në Kosovë dhe moszëvendësimin e tyre me anëtarë të tjerë të LDK-së”, tha kjo parti në një postim në Facebook.
LVV-ja më 17 mars iu drejtua PZAP-së me kërkesën për anulimin e të gjitha votave me postë që ka marrë LDK-ja nga zgjedhjet e 9 shkurtit, me pretendimin se ka pasur manipulim të tyre, teksa kërkoi edhe përsëritje të procesit të votimit me postë.
PZAP-ja, më 19 mars hodhi poshtë ankesën e LVV-së me arsyetimin se pretendimet e kësaj partie janë të pabaza.
E partia që doli e para në zgjedhjet e fundit, LVV, e çoi rastin në Supreme.
Në bazë të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Gjykata Supreme ka afat prej pesë ditësh nga paraqitja e ankesës, që të vendosë për të.
Sipas rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja për zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse, PDK-ja 24 sosh, LDK 20, Lista Serbe 9 dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.
Pa përfunduar edhe procesi i ankesave, rezultatet nuk do të mund të certifikoheshin.