Site icon PrishtinaPress

LVV: Aktakuza e Speciales ka kosto të lartë për Kosovën

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me një komunikatë, pas njoftimit që bëri Prokuroria Speciale për aktakuzat ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe ndaj kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, ku thuhet se formimi i Gjykatës Speciale ka qenë një faj i madh politik, ndërsa theksohet se besojnë në luftën e pastër të UÇK-së.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se Kosovës i duhen institucione transparente dhe politikanë të pashantazhuar.

“Ata shqiptarë që kontribuojnë në normalizimin e Serbisë pa e njohur ajo Kosovën dhe pa dënuar krimet e luftës që ka bërë, njëkohësisht i kontribuojnë edhe gënjeshtrës serbe për “shqiptarët kriminelë”. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër, kurse instalimi i Gjykatës Speciale ka qenë faj i madh politik, për të cilin mbajnë përgjegjësi gjithë ata që e votuan në parlament. Sot u njoftuam nga Zyra e Prokurorit të Specializuar se dy muaj më parë, pra me 24 prill, ky institucion ka paraqitur pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë të rëndë për presidentin e Kosovës dhe për figura të rëndësishme politike e partiake”, thuhet në deklaratën e LVV-së.

LVV thekson po ashtu se kjo që ka ndodhur vetëm pak ditë para takimit në Washington, për Kosovën ka një kosto të lartë.

Komunikata e plotë e LVV-së:

“Ata shqiptarë që kontribuojnë në normalizimin e Serbisë pa e njohur ajo Kosovën dhe pa dënuar krimet e luftës që ka bërë, njëkohësisht i kontribuojnë edhe gënjeshtrës serbe për “shqiptarët kriminelë”. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër, kurse instalimi i Gjykatës Speciale ka qenë faj i madh politik, për të cilin mbajnë përgjegjësi gjithë ata që e votuan në parlament.

Sot u njoftuam nga Zyra e Prokurorit të Specializuar se dy muaj më parë, pra me 24 prill, ky institucion ka paraqitur pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë të rëndë për presidentin e Kosovës dhe për figura të rëndësishme politike e partiake.

Së pari, spikat fakti se kjo aktakuzë po publikohet tre ditë para takimit në Washington D.C., ku edhe pse nuk ka transparencë për platformën dhe përmbajtjen e diskutimeve, është deklaruar se mes krerëve institucionalë të Kosovës e Serbisë do të vendosen korniza për një marrëveshje. Pala serbe shkon në këtë takim duke pretenduar legjitimitet pas zgjedhjeve të reja, edhe pse ato janë bojkotuar nga opozita e kontestuar nga faktorë ndërkombëtarë, ndërsa pala kosovare shkon aty me një qeveri jolegjitime të krijuar pas akrobacive kushtetuese, pa mbështetje popullore, e tashmë edhe me një president figura e të cilit rëndohet prej këtyre aktakuzave të njoftuara. Në një tryezë të tillë përfaqësuesit e Kosovës do të paraqiten si të njollosur e të akuzuar, ndërsa ata të Serbisë do të luajnë me zë të lartë rolin e viktimës që kërkon dëmshpërblim, edhe pse Aleksandër Vuçiqi ka qenë ministër i qeverisë gjenocidale të Millosheviqit. Për Kosovën kjo ka kosto të mëdha, të cilat nuk zgjidhen duke dërguar përballë Vuçiqit që kontrollon 90% të parlamentit serb, Avdullah Hotin i cili as në subjektin e dytë parlamentar nuk ka qenë ndër më të votuarit.

Së dyti, në deklaratën e ZPS thuhet se ky publikim po bëhet për shkak se krerët politikë të akuzuar po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të sabotuar dhe penguar punën e këtij institucioni. Është për t’u habitur se si këta politikanë që mbajnë poste të larta e që përfaqësojnë Kosovën, veprojnë në mënyrë kaq joinstitucionale. Janë pikërisht vetë këta që e kanë votuar dhe e kanë vendosur Gjykatën dhe Prokurorinë Speciale në Kosovë.

Në qershor të vitit 2015 Lëvizja VETËVENDOSJE! shprehej se “Gjykata Speciale është padrejtësia më e madhe që i bëhet shtetit të Kosovës që pas shpalljes së pavarësisë.”. Subjekti ynë, me sinqeritet e ndershmëri, të vetëdijshëm për çmimin e lartë kombëtar e shtetëror që do të pësonte Kosova nga një përçudnim i tillë i sistemit të brendshëm gjyqësor, e kundërshtoi këtë Gjykatë, edhe në Kuvend, e edhe duke mbështetur protestat. Mirëpo siç dihet kjo gjykatë u mbështet me forcë dhe u votua nga subjektet e tjera parlamentare.

Është për të ardhur keq se si këta politikanë të papërgjegjshëm nuk e kanë patur asnjë brengë për dëmin që i shkaktohet vendit dhe UÇK-së, por janë shqetësuar kaq shumë vetëm për veten e tyre, dhe për akuzat që rëndojnë personalisht mbi ta.

Ne besojmë në luftën e pastër e të drejtë të UÇK-së dhe angazhohemi tash e kurdoherë që ta mbrojmë atë. Por ajo nuk mund të mbrohet me marrëveshje prapaskenash dhe me sabotime kulisash. Politikanë të tillë nuk munden më ta përfaqësojnë Kosovën. Kosovës i duhen institucione transparente dhe politikanë të pashantazhuar, që të mos ia ulin asaj vlerën në bisedime, dialogje e marrëveshje ndërkombëtare, si edhe që të ndalet përbaltja e fajësimi i padrejtë i UÇK-së”. 

Exit mobile version