Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet projektligjin e proceduar në Kuvend më të cilin FSK transformohet në Ushtri.
Partia e kryeministrit, Isa Mustafa nuk e ndjen vetën të anashkaluar në krejt këtë proces.
Nënkryetari i këtij subjekti, Lutfi Haziri ka konfirmuar për ‘Indeksonline’, se LDK do ta votoj në mënyre unanime projektligjin për Ushtrinë.
Zyrtari i lartë i LDK-së, pret qe të gjitha partitë politike në Kosovë të votojnë pro rritjes se kapaciteteve të FSK-së.
“Është momenti i duhur dhe koha fundit kur të gjitha partitë politike dhe Kuvendi të bashkohen për ta fuqizuar FSK-në. Definitivisht LDK do ta mbështes dhe është koha e fundit qe Forcat e Armatosura të Kosovës më i marrë atributet e ushtrisë”, ka thënë Haziri për ‘Indeksonline’.
Duke e komentuar deklaratën e kryeministrit Mustafa dhe sekretarit të LDK-së, Ismet Beqiri se tani për tani Kosova nuk e ka mbështetjen e aleatëve ndërkombëtar për transformimin e FSK-së pa ndryshime kushtetuese, Haziri ka thënë se institucionet e Kosovës janë në koordinim të plotë me shtetet anëtare të NATO-s sa i përket këtij projektligji.
“Unë besoj se kryeministri me kryetarin e Kuvendit dhe presidentin janë autoritete qe koordinojnë edhe me shtetet partnerë dhe shtetet anëtare të NATO-s lidhur me këtë ligj”, ka shtuar ai.
I pyetur, nëse LDK e ndjen vetën të anashkaluar në krejt këtë proces, kryetari i Komunës se Gjilanit ka thënë se kjo nuk qëndron. Ministri i FSK-së, sipas tij, është nga radhët e LDK-së dhe ai thotë se Demolli ka dhënë kontributin e tij dhe ka qenë kritik në krejt këtë proces.
Sot, presidenti i vendit, Hashim Thaçi ia ka proceduar edhe zyrtarisht kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli projektligjin për transformimin e FSK-së.
Ndërsa, nesër pritet të mbahet mbledhja e Kryesisë ku do të vendoset se kur do të votohet projektligji në fjalë.
Për miratimin e këtij projektligji nuk nevojiten më shumë se 61 vota.