Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka komentur kandidimin e tij të mundshëm si kryetar i kësaj partie.
Zgjedhjet e brendshme të kësaj partie do të mbahen në tetor. Haziri ka treguar se projekti “Rruga e Re” është në përfundim dhe po ashtu kanë përfunduar gjysma e zgjedhjeve nëpër degë. Ai tha se në javën e parë të tetorit janë të gatshëm për zgjedhjen e kryetarit.
“Njerëzit e LDK-së që kanë kontribuar janë vlera që i respektojmë e i nderojmë, edhe ata që janë gjallë edhe ata që nuk janë në jetë”, u shpreh Haziri në emisionin DPT te Fidan Jupolli.
Por, kur ka folur për kandidaturat, Haziri ka thënë se do t’i japë sërish përkrahje Lumir Abdixhikut, kryetarit aktual.
“Lumir Abdixhikun e kam respektuar. Unë nuk mund të jem në kandidaturë. Është vetëm një emër, vetëm kryetari i zgjedhur i LDK-së që po përfundon mandatin e tij të rregullt. Ai tani po e kërkon edhe një mandat”, u shpreh Haziri.