Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku e ka mohuar një përleshje fizike mes anëtarëve të kësaj partie në një degë të Skenderajt, shkruan Gazeta Blic.
Ai tha se nuk ka qenë i pranishëm në këtë mbledhje dhe se aty, tha ai, ka pasur vetëm tentime për një përleshje.“Nuk kam qenë i pranishëm në atë mbledhje sepse kam qenë në një mbledhje tjetër. Sipas informatave që unë i posedoj nuk ka pasur përleshje fizike, ka pasur vetëm tentime për një gjë të tillë”, tha ai.
Sipas djalit të ish- kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut, një gjë e tillë e pakënaqësive është edhe e kuptueshme kur dihet që në shumicën e tubimeve që po i mbajmë po marrin pjesë mbi 400 pjesëmarrës.“Nuk dëshiroj që të lëshohem me emra, mirëpo them që në njëfarë forme është e kuptueshme për ndonjë pakënaqësi në një degë të caktuar, kur dihet që në shumicën e tubimeve që po i mbajmë po marrin pjesë mbi 400 pjesëmarrës.
Kështu që në një numër kaq të madh të njerëzve mund të ketë ndonjë paknaqësi. Unë jam i bindur që në fund procesi zgjedhor brenda PDK-së, e gjithashtu edhe ne degën e Skenderajt, do të përmbyllet suksesshëm. Sepse demokracia këto gjëra i ka. Ai që merr vota më shumë brenda një procesi të caktuar, ai është fituesi. Këtë duhet ta pranojmë të gjithë. E përsëris që besoj se përfundimi i zgjedhjeve brenda PDK-së, e veçmas brenda degës në Skenderaj, do të jetë i suksesshëm”, përfundoi ai.Ndryshe, sipas Burimeve të Gazetës Blic në një degë të Skenderajt, më saktësisht në Klinë të Epërme ka ndodhur një përplasje fizike mes anëtarëve të PDK-së.
Burimi thotë që fizikisht është sulmuar Kryetari i të të rinjve të PDK-së në Skenderaj, Alban Berisha.Tensionet, thotë ky burim kanë ardhur ndërmjet grupeve të Sami Lushtakut dhe Nuredin Lushtakut. Sipas të njëjtave burime, në këtë votim pjesë kanë marrë edhe njerëz nga fshatra tjera. Thuhet që ata kanë ardhur me porosi për të ndikuar në votim. Kjo siç shprehet burimi, ka qenë edhe arsyeja e konfliktit.