Lufta kundër korrupsionit nuk mund të zhvillohet vetëm nga një institucion, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Sundimi i ligjit, ka nënvizuar Lumezi, duhet të realizohet përmes të gjitha institucioneve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.
Ndërkaq, duke u ndërlidhur me rastin e përgjimeve të bisedave telefonike të zyrtarëve në funksione publike, njohur si rasti ‘Pronto’, Lumezi ka thënë se prokurorët do të nxjerrin së shpejti një aktvendim për fillimin e hetimeve për të gjithë ata që dyshohet se mund të kenë shpërdoruar detyrën zyrtare.
Radio Evropa e Lirë: Keni paralajmëruar luftë të fortë kundër korrupsionit, posaçërisht në nivele të larta dhe keni bërë publike shifra, por nuk ka ende asnjë gjë konkrete. Më saktësisht, kush është niveli i lartë në ndërlidhje me korrupsionin dhe a është politika aktualisht pengesë për procedime të rasteve të nivelit të lartë?
Aleksandër Lumezi: Është e vërtetë se unë kam paralajmëruar luftë kundër korrupsionit dhe kjo është e qartë për gjithë prokurorët e shtetit se korrupsioni duhet të luftohet. Me ndryshimet e kodit të procedurës penale, prokurorët kanë marrë më shumë kompetenca në hetimin pro aktiv të rasteve penale dhe në zbatimin e masave të fshehta. Kryeprokurori i Shtetit nuk mundet i vetëm ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, pa përkrahjen e institucioneve tjera. Sundimi i ligjit duhet të realizohet përmes të gjitha institucioneve, si atyre legjislative, ekzekutive dhe atyre gjyqësore. Dhe nuk duhet të lihet i vetëm kryeprokurori; i vetëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Unë i kam paralajmëruar disa raste dhe tashmë ato raste janë në duart e gjykatave dhe kemi aktgjykime dënuese. Kemi tri raste që kanë përfunduar në gjykatë sa i përket rastit të krimit të organizuar, por kemi edhe aktakuza të cilat tani i kemi dërguar në gjykata, si ai i Prizrenit me fajde, rastin e një detyrimi i cili ka ndodhur në Prishtinë e që ndërlidhet me një pronë në Prishtinë e që ka të bëjë me 20 milionë euro, dhe e kemi rastin e KEK-ut në Prishtinë që është ngritur aktakuzë për shefin e prokurimit.
Radio Evropa e Lirë: Me ngritjen e aktakuzës në rastin “Stenta” keni ndikuar në dorëheqjen e një ministri, pavarësisht kundërthënieve të shumta në këtë rast. Ndërkohë, ka një aferë tjetër, ku me sa duket ka përfshirje të segmenteve të ndryshme edhe politike edhe të sistemit të drejtësisë. Cilat janë veprimet tuaja në rastin “Pronto”?
Aleksandër Lumezi: Ne kemi ngritur aktakuzën për rastin ‘Stenta’ dhe tashmë ajo është e njohur dhe e kemi dërguar të njëjtën në gjykatë. Presim që gjykata në një afat të caktuar ligjor të caktojë seancat gjyqësore. Sa i përket rastit Pronto, ne kemi kërkuar nga prokurori i EULEX- it, i cili ka qenë duke trajtuar lëndën e MTI–së, të na dërgojë të gjitha transkriptet origjinale, transkriptet e policisë dhe CD –të e rastit të MTI-së dhe pas analizimit të atyre rasteve, prokurorët sigurisht se shumë shpejtë do të nxjerrin një aktvendim për fillimin e hetimeve për ata persona që ka dyshim të arsyeshëm se kanë kryer ndonjë vepër penale që ndërlidhet me shpërdorim të detyrës zyrtare.
Radio Evropa e Lirë: Sa është lufta kundër korrupsionit në këtë periudhë kohore e sforcuar për shkak të proceseve që Kosova ka lidhur me BE-në, p.sh. liberalizimin e vizave?
Aleksandër Lumezi: Kjo nuk varet vetëm nga Kryeprokuroria e Shtetit, kjo varet edhe nga institucionet tjera zbatuese të ligjit që duhet të jenë të koordinuara me zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, në mënyrë që të ndërmarrin veprime të caktuara hetimore për të luftuar dukuritë negative, sidomos krimin e organizuar, korrupsionin dhe terrorizmin. Sigurisht që deri më tani ne kemi përmbushur shumë kritere që janë parapara nga Bashkësia Evropiane dhe vetë fakti që kemi fituar rekomandimin për liberalizimin e vizave është një sukses i prokurorisë së shtetit që i ka përmbushur obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore.
Radio Evropa e Lirë: Ka frikë se shteti i Kosovës po zhytet në një vend të radikalizuar në baza fetare. Cilat janë veprimet në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm?
Aleksandër Lumezi: Ne jemi një ndër Prokuroritë më të suksesshme sa i përket trajtimit të lëndëve që kanë të bëjnë me fundamentalizmin islamik dhe terrorizmin dhe ne deri më tani kemi ngritur 19 raste me 87 persona. Kemi pasur edhe gjykime të suksesshme sa i përket rastit të terrorizmit. E kemi pasur rastin e Gavriqit që është dënuar me 12 vjet burgim, pastaj rasti Badovci, ku disa të akuzuar janë dënuar gjithsej me 48 vjet burg, si dhe rastin e Zekirja Qazimit me 10 vjet burgim. /REL/