Site icon PrishtinaPress

Lumezi me përgjigje pozitive nga Imer Beka për çështjen e veteranëve të UÇK-së

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka mirëpritur kërkesën e Prokurorisë së Shtetit, respektivisht kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi, për fillimin e hetimeve lidhur me publikimin e listave të veteranëve mashtrues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Zyra e Lumezit ka kërkuar ekskluzivisht nga Prokuroria që udhëhiqet nga Imer Beka që të merret me hetimet për të verifikuar çdo zyrtarë që mund të jetë i përfshirë në publikimin e pa autorizuar të listës së veteranëve “mashtrues”.

Kryeprokurori i Themelores, Imer Beka ka thënë për “Indeksonline” se kjo çështje është deleguar në kompetencë të prokurorisë që ai e udhëheqë. Sipas tij, do të vërtetohen të gjithë akerët të cilët mund të jenë të përfshirë në rastin në fjalë.

“Nga Prokuroria e Shtetit dje është pranuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë një kërkesë për fillimin e hetimeve paraprake dhe për të vërtetuar se nga kush është bërë publikimi i emrave të personave të përfshirë në listat e veteranëve apo të pjesëtarëve të UÇK-së ndaj personave zyrtar në sistemin prokurorial apo gjyqësor apo personave të tjerë jashtë këtyre sistemeve nëse të njëjtit kanë kryer vepër penale”, është shprehur Beka për “Indeksonline”.

Kujtojmë, se publikimi i listave të veteranëve të rrejshëm, ka nxjerrë edhe shumë ish-ushtarë të cilët kontribuan gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria e Kosovës gjegjësisht Specialja ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave që dyshohet të kenë bërë falsifikim me fryrjen e listave të veteranëve.

Sipas aktakuzës të akuzuarit janë, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demalijaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha , Faik Fazliu, Xhavit Jashari dhe S.E dhe F.SH. Kurse, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Gjykata Themelore deri më tani ka bërë të ditur se për rastin e veteranëve do të merret gjyqtarja, Nushe Kukaj-Mekaj, e cila është gruaja e djalit të axhës së Sali Mekajt, ish kryetar i Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Qarkut në Pejë.

Derisa ende nuk është bërë e ditur data se kur do të nis gjykimi për rastin në fjalë.

Exit mobile version