3.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Buy now

spot_img

Lum kush e ka vizë Shengen në Turqi

Shkruan: Erkan Arikan

Prej ditësh, jo prej javësh, më vijnë mesazhe nga Turqia. Qytetarë turq që rrëfejnë se ata ose të afërmit nuk e kanë marrë dot një vizë Shengen, megjithëse kanë paraqitur të gjitha dokumentet e kërkuara. Të pashpresë ata më kërkojnë ndihmë.

Në fillim mendoja, ja edhe një tjetër i zemëruar në Turqi për burokracinë gjermane. Por, ndërkohë më është bërë e qartë, që pas çdo lajmi të tillë fshihet një fat personal. Mësues që duan të bëjnë një vizitë te vëllai ose motra në Holandë. Pensionistë që duan të vijnë për dasmën e fëmijëve në Gjermani. Artistë që duan të marrin pjesë në një festival në Itali. Por, vetëm në raste të rralla ata marrin miratimin e vizës. Edhe nëse, vetëm për shumë më pak ditë, se sa e kanë kërkuar.

Më e ashpra në procedurën e dhënies së vizave për turqit është Gjermania, raportojnë mediat turke. Këtë e konfirmon edhe Ministria e Jashtme në Berlin: Qytetarët turq marrin aktualisht ndjeshëm më pak viza nga përfaqësitë gjermane në Turqi. Përpara nxirret si arsye kriza e ekonomisë turke dhe ikja e vazhdueshme e akademikëve.

Po, është e vërtetë situata në Turqi është aktualisht katastrofike. Me çdo muaj inflacioni kap maja të reja, sipas shifrave zyrtare së fundmi 80 për qind. Edhe numri i të papunëve është në nivele të larta. Dhe, të mos harrojmë, se edhe për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut nga shteti turk, mund të shtohet tek arsyet se pse ka kaq rezervim në dhënien e vizës. Në vendet e BE është e madhe frika që një numër i madh njerëzish me një vizë Shengen do mund të vendosen diku në Evropë dhe do t’i kthejnë kurrizin vendlindjes.

Ky shqetësim u ushqye edhe nga zërat, se studentët që erdhën përmes programit Erasmus në Evropë, në numër të madh kishin kërkuar azil – për këtë është raportuar gjerësisht në mediat turke. Pasoja: shanset për studentët turq që të pranohen në një program Erasmus kanë zbritur shumë.

Shumë njerëz në Evropë nuk e dinë, se kërkesat për vizën Shengen janë të shtrenjta për standardin turk. Vetëm tarifa e vizës kushton 80 euro. Nëse kjo vizë nuk jepet, paratë janë të humbura. Kësaj i shtohen në shumicën e rasteve kostoja e fluturimit dhe hotelit për udhëtimin e planifikuar, por që nuk mund të kryhet. Vërtet që e drejta për t’u ankimuar ekziston, vetëm nëse kjo ka ndonjëherë sukses e di vetëm Allahu.

Prandaj, zemërimi, gati-gati urrejtja ndaj vendeve Shengen po rritet: E kuptueshme? Njerëz, të cilët rregullisht kanë qenë shpeshherë në vendet e BE në të shkuarën papritur nuk marrin më vizë. Njerëz, të cilët kanë një profesion të mirë në Turqi, shtëpi e fëmijë, nuk marrin vizë. Njerëz, që përkundër kushteve të vështira në Turqi, do të kthehen sërish në shtëpi, nuk marrin vizë. Pensionistë, “ish-gastarbeiterë”, që prej vitesh banojnë në shtëpinë e verimit në Turqi dhe nuk kanë më arsye të qëndrojnë më gjatë në Gjermani apo Evropë nuk marrin vizë. Këto vendime të konsullatave janë të pakuptueshme!

Rregulloret e dhënies së vizave Shengen duhet të verifikohen urgjentisht. Ata, që kanë marrë viza më parë dhe kanë qenë shpesh në Evropë duhet të trajtohen ndryshe nga autoritetet. Edhe ata që janë në pension dhe duan thjesht të jenë në dasmën e fëmijëve apo nipërve e mbesave nuk duhet të kenë pengesa në marrjen e një vize. Po ashtu edhe sipërmarrësit që momentalisht i japin pak shpresë ekonomisë turke dhe duan të udhëtojnë në panaire apo për negociime marrëveshjesh, duhet pa dyshim ta marrin një vizë. Edhe turistët turq të etur për udhëtime pas pandemisë janë një përfitim për turizmin në Evropë.

Delet e zeza që duan të qëndrojnë përfundimisht në Evropë, në shumicën e rasteve hyjnë edhe ilegalisht në vendin që e kanë si destinacion. Turqit e pafajshëm nuk kanë pse ndëshkohen për politikën e gabuar të vendit të tyre. /DW/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img