Site icon PrishtinaPress

Lulzim Hetemi u del në ndihmë serbëve për t’i kosovarizuar veturat

Objekti i Komunës së Leposaviqit do të shërbejë edhe si hapësirë e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve dhe Qendrës së Prodhimit të Dokumenteve.

Kjo marrëveshje është arritur mes kryetarit të kësaj komune, Lulzim Hetemi dhe ministrit të Adminstrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtorit të Agjencionit të Regjistrimit Civil, Blerim Camaj, raporton Klankosova.tv.

“Me qëllim të lehtësimit të ofrimit të shërbimeve për qytetarët tanë, kam nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me z. Blerim Camaj, përmes së cilës ofrojmë hapësira të objektit të Komunës për zyrtarët e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve dhe Qendrës së Prodhimit të Dokumenteve”.

“Duke pasur parasysh kërkesat e qytetarëve për këto shërbime, do të punojmë maksimalisht që ato të fillojnë të ofrohen sa më parë të jetë e mundshme”, ka thënë Hetemi.

Rritja e kërkesës së serbëve nga pjesa veriore e vendit për t’i regjistruar veturat e tyre në targa RKS, nga ato ilegale KM, PR, GL e të tjera, ka ardhur pas njoftimit të fundit të qeverisë së Kosovës të hënën e kësaj jave (30 tetor, 2023), se ka ndryshuar dhe plotësuar vendimin e Qeverisë Nr.05/103 të datës 28 tetor 2022, duke zgjatur kështu afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” deri me 1 dhjetor 2023.

Në njoftimin e lëshuar thuhej se ky ndryshim vjen si rezultat i kërkesës së madhe të shënuar së fundmi për regjistrim të automjeteve me targa RKS.

“Vendim i ri, po ashtu parasheh që pas datës 1 dhjetor 2023, pronarët e mjeteve të pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri me datë 21 prill 2022, nuk do të kenë më mundësinë që këto mjete t’i regjistrojnë me targa RKS, të hyjnë apo të qarkullojnë në dhe përmes territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv

Exit mobile version