Anëtarja e shoqërisë civile, Luljeta Aliu-Krasniqi, është zgjedhur anëtare e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).
Zgjedhja e saj anëtare e KPM-së është realizuar përmes një votimi të deputetëve në Kuvendin e Kosovës të mërkurën.
48 deputetë votuan për zgjedhjen e Aliu-Krasniqit në pozitën e anëtares së KPM-së. Kundër-kandidatja e saj, e rekomanduar po ashtu për këtë pozitë, Luljeta Hyseni-Kelmendi, mori vetëm 28 vota.
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca konkludoi se votimi për zgjedhjen e anëtares së KPM-së nga radhët e grave, përfundoi me sukses në raundin e parë të votimit.
“Mund të konkludojmë se për anëtare të KPM-së nga radhët e grave, me 48 vota zgjidhet anëtare Luljeta Aliu-Krasniqi, kurse për kandidatët e propozuar për zgjedhjen e dy anëtarëve nga radhët e burrave, nuk ka arritur të zgjedhet asnjë anëtarë”, tha kryetari Konjufca.
Ndërkaq, votimi për zgjedhjen e dy anëtarëve të tjerë të KPM-së të mërkurën ka dështuar. Konjufca ka thënë se votimi për këto dy pozita do të rishpallet dhe përsëritet.
“Ne zonjës Luljeta Aliu-Krasniqi i urojmë suksese dhe punë të mbarë, kurse për dy pozitat e tjera të KPM-së konkursi rishpallet dhe përsëritet”, tha Konjufca.
Luljeta Aliu-Krasniqi, prej kohësh ka synuar të bëhet pjesë e KPM-së. Vitin e kaluar, propozimi i saj për anëtare të këtij organi shtetëror për mbikëqyrjen e mediave, nuk kishte kaluar në kuvend.
Pas rishpalljes së konkursit, ajo kishte kandiduar sërish. Ishte vlerësuar me më së shumti pikë nga Komisioni Ad-Hoc për Përzgjedhjen e Anëtarëve të KPM-së. Sot, ajo ka fituar mandatin e parë të saj në KPM.