0.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Luljeta Aliu në KPM: Kurti merr vërejtje ndërkombëtare, VV nuk zmbrapset

Zgjedhja e militantes partiake, Luljeta Aliut, anëtare e Këshillit të Pavarur të Mediave, i ka kushtuar Kryeministrit Kurti me vërejtje nga organizatat kredibile ndërkombëtare, që ruajnë lirinë e medias.

Ato kanë paralajmëruar se rastin e përzgjedhjes së Aliut do ta denoncojnë edhe në Këshill të Evropës.

 

Përkundër thirrjeve të mëhershme, dje në Kuvend, Luljeta Aliu i mori votat e nevojshme për t’u zgjedhur anëtare e KPM-së. Viteve të fundit, Aliu është e njohur për qëndrimet e saj të zëshme në përkrahje të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Kurti.

Pas zgjedhjes së saj, reaguan organizatat ndërkombëtare të mediave dhe gazetarëve, si Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Qendra Evropiane e Lirisë së Shtypit dhe Medias.

Sekretari i EFJ-së, Ricardo Gutierrez, e quajti emërim politik nga Lëvizja Vetëvendosje, si parti shumicë në Kuvend, zgjedhjen e Aliut.

“Ky emërim politik vërtetë të jem përshtypjen se partia në pushtet po i shpërblen aktivistët e saj për përkrahjen e tyre, duke iu ofruar atyre një pozitë në një institucion publik që duhet të jetë i pavarur”, shkroi Gutierrez të mërkurën.

Sekretari i EFJ-së thotë se përzgjedhja e Aliut shkel standardët e vendosura nga Këshilli i Evropës dhe se ai do ta denoncojë këtë rast në KiE dhe në organizatat që mbrojnë lirinë e medias.

“Jam i indinjuar nga ky emërim politik. Mund të llogarisni në mua për ta denoncuar atë te kolegët e mi dhe te partnerët tanë në Këshillin e Evropës. Ky emërim qartazi shkel standardet e vendosura nga Këshillin i Evropës në Rekomandimin e Komitetit të Ministrave për shtetet anëtarë mbi pavarësinë dhe funksionet e autoriteteve rregullatore në sektorin e transmetimit. Kosova po e shkel standardin e vet të rëndësishëm demokratik këtu. Ne do ta denoncojmë fuqishëm këtë”.

Për këtë zhvillim në Kuvend, do të informohet Këshilli i Evropës, ku Kosova po synon të anëtarësohet, është thënë në reagimin e ECPMF-së.

“Në dritën e aplikimit për anëtarësim të Kosovës, ne do të fillojmë menjëherë shkëmbimin me Këshillin e Evropës dhe PACE për t’i informuar ata rreth këtij zhvillimi shqetësues që do të ketë një ndikim të madh në pavarësinë e KPM-së”.

Sipas ECPMF-së, në asnjë mënyrë, Aliu nuk mund të konsiderohet e pavarur.

“Jemi shumë të shqetësuar dhe të zhgënjyer nga vendimi i Kuvendit të Kosovës, i kontrolluar nga Lëvizja Vetëvendosje, për të zgjehdur Luljeta Aliun anëtare të Komisionit të Pavarur të Mediave. Aliu zëshëm, rregullisht dhe publikisht e ka përkrahur Lëvizjen Vetëvendosje dhe politikat e saj. Në asnjë mënyrë, ajo nuk mund të konsiderohet e pavarur”, thuhet në njoftimin e ECPMF-së.

“Na vjen keq të shohim këtë zhvillim, që shkon në të kundërtën me procesin e depolitizimit të KPM-së, që VV-ja e ka nisur. Kjo zgjedhje është një hap i madh drejt rikapjes politike, në mënyrë të njëjtë siç është bërë më parë”, është thënë tutje në reagimin e ECPMF-së.

Pas zgjedhjes me 48 vota, Kryeparlamentari Glauk Konjufca i uroi punë të mbarë aktivistes proqeveritare.

Më vonë, nga Vetëvendosje u lajmërua Sami Kurteshi, që është anëtar i Komisionit Qendror Zgjedhor.

Siç edhe është i njohur, Kurteshi, përdori gjuhë të rëndë ndaj mediave, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare që reaguan, duke mbrojtur anëtaren e re të KPM-së.

“Madje këto media (shumica e tyre absolute), me ndonjë përjashtim të rrallë, dhe opozita, vërtetë krejtësisht të pavarur nga dinjiteti njerëzor, politik, profesional, angazhimi qytetar, drejtësia shoqërore, paskan angazhuar edhe disa senilë ndërkombëtarë, për të rritur ehon e zhurmimit të brendshëm kriminal, të organizuar e koordinuar nga “ekspert/e” vendor/e, ushujza parazitore të PLANS-it”, ka shkruar Kurteshi.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar sot ndaj gjuhës së përdorur nga Kurteshi, duke i kërkuar Kryeministrit Albin Kurti, që njëherit është edhe kryetar i LV-së, që të ndalë gjuhën e tillë ndaj mediave.

“AGK-ja, sërish i bën thirrje kryeministrit dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, që të angazhohet për ndalimin e sulmeve të vazhdueshme të eksponentëve të qeverisë dhe partisë së tij, pasi ato ndikojnë direkt në sigurinë e gazetarëve në Kosovë”, është thënë në reagimin e sotëm të Asociacionit.

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), ku Aliu u zgjodh anëtare, është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës. Me Kushtetutën e Kosovës, KPM përcaktohet organ i pavarur. Në bazë të ligjit, KPM-ja licencon transmetuesit publik e privat, përcakton dhe zbaton politikën e transmetimit si dhe rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e personave fizik dhe juridik të cilët ofrojnë shërbimet mediale audio dhe audiovizuele. /Express/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img