Site icon PrishtinaPress

Lul Raka për çmimin Evropiani i Vitit: I takon IKSHPK-së që për katër muaj më radhë punoi për qytetarët në luftën ndaj CODIV-19

Mikrobiologu Lul Raka sot është shpallur Evropiani i Vitit 2020 nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Raka përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se ky çmim i takon të gjithë kolegëve në IKSHPK.

“Këtë çmim nuk e mbaj dot vetë. Sepse puna ime është sa një pikë ujë në oqean, krahasuar me kolegët në IKSHPK, të nominuarit tjerë për këtë vit, të gjithë punëtorët shëndetësorë dhe qytetarët e Kosovës. Është e vogël krahasuar me përkushtimin dhe pasionin e 125 punëtorëve të Klinikës për Sëmundje Ngjitëse, përfshirë edhe specialistët e kujdesit intensiv. Një armatë njerëzish që ktheu besimin tek mantelbardhët dhe tregoi se Hipokrati ende merr frymë në këto treva. Njerëz që i dolën përballë virusit të padukshëm, kur gjithë të tjerët iknin prej tij. Nëna e baballarë, të cilët për javë të tëra nuk i panë dhe nuk ndjenë ngrohtësinë e përqafimeve të fëmijëve dhe prindërve të tyre.”, ka thënë Raka.

Raka shpreson që pasi të largohet coronavirus, shqiptarët më shpejtë dhe të udhëtojmë të lirë në Evropë.

“Jemi Evropianë me shekuj dhe urojmë që sa më shpejt ta heqim virusin dhe të udhëtojmë të lirë në kontinentin e vjetër”, ka shkruar Raka.

Postimi i plotë

Falënderoj të gjithë njerëzit për mbështetjen në kohë pandemie.

Ky çmim i takon fillimisht shtëpisë sime – Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, bashkë me 6 institutet rajonale, ku për gati 4 muaj me rradhë gumëzhijnë njerëz pa u ndalur asnjë ditë. Mikrobiologë e laborantë, të cilët i pret Kosova për të dhënë kumtin e rezultatit- pozitiv ose negativ. Njerëz, që më shumë brengosen që s’kanë mjaftueshëm teste sesa bukë në punë. Qendra Operative që këshillon qytetarin 24 orë në ditë, personel nga të gjitha departamentet që gjurmojnë çdo kontakt në katër anët e Kosovës dhe trasojnë rrugëzgjidhjen e sfidave të përballjes me këtë pandemi. Çmimi kalon edhe nëpër Universitetin e Prishtinës, familje, shoqëri dhe Kaçanik, ku ky çmim udhëton për herë të tretë në pesë vitet e fundit.

Por, këtë çmim nuk e mbaj dot vetë. Sepse puna ime është sa një pikë ujë në oqean, krahasuar me kolegët në IKSHPK, të nominuarit tjerë për këtë vit, të gjithë punëtorët shëndetësorë dhe qytetarët e Kosovës. Është e vogël krahasuar me përkushtimin dhe pasionin e 125 punëtorëve të Klinikës për Sëmundje Ngjitëse, përfshirë edhe specialistët e kujdesit intensiv. Një armatë njerëzish që ktheu besimin tek mantelbardhët dhe tregoi se Hipokrati ende merr frymë në këto treva. Njerëz që i dolën përballë virusit të padukshëm, kur gjithë të tjerët iknin prej tij. Nëna e baballarë, të cilët për javë të tëra nuk i panë dhe nuk ndjenë ngrohtësinë e përqafimeve të fëmijëve dhe prindërve të tyre.

Vullnetarizimin në kohëra të vështira, si vlerë universale të njerëzimit e kam shijuar shpesh. Këtë çmim e ndaj edhe me vrullin e vullnetarëve të të gjitha fushave, të cilët i dolën zot vendit në ditët më të vështira duke punuar në Qendrën e Studentëve, në qendrën e thirrjeve apo pranë shtratit të pacientit. Këtë çmim e ndaj edhe me të nominuarin nga komunitetet, me të cilët shpesh na ka ndarë politika, por na bashkoi COVID-19.

Evropian i Vitit është punëtori shëndetësor dhe stafi ndihmës i çdo institucioni shëndetsor në vend, prej ambulancës së fshatit e deri te njeriu që barti peshën më të rëndë në këtë pandemi-Ministri i Shëndetësisë.

Evropian i Vitit është kryefamiljari, që me xhepat zbrazët por zemrën plot mbrojti familjen duke dëgjuar këshillat për të qëndruar në shtëpi; është edhe Nëna që mbajti gjithmonë kalanë e shtëpisë si Rozafa. Është vështirë të qëndrosh mbyllur mes 4 muresh të shtëpisë me fëmijë që duan bukë në sofër, me të moshuar, e shpesh me të sëmurë kronikë e persona me aftësi të kufizuara që kërkojnë kujdes. Por, edhe në këtë kohë të vështirë, ajo që mposht çdo sfidë është shenjtëria e dashurisë së familjes, të cilën shumëkush e rigjeti në këtë kohë pandemie. Ajo është 100 herë më e fuqishme se çdo virus.

Evropiani i Vitit është edhe brenda uniformës së kaltër dhe jeshile të Policisë së Kosovës dhe FSK-së, që ishin mburojë e popullit në këtë kohë pa kohë. Është çdo Kryetar Komune që kaloi shumë netë pa gjum në mbrojtje të qytetarit të vet. Është mësuesi e bukëpjekësi, pensionisti e inspektori, prifti e imami, sportisti e artisti, shkrimtari, punëtori dhe i papuni, psikologu e diaspora- është çdo qytetar i Kosovës.

Sot jam edhe qytetari i Kosovës që u prek nga ky virus dhe u ndodh në udhëkryqin e jetës. Në çastin që mori rezultatin pozitiv, në kokën e tij u soll shiriti celuloid i jetës me 1 milionë mendime në centrifugën e kokës. Në fund, ia doli mbanë.

Sot, jam edhe jehona e zërit nga bota e përtejme e 28 bashkëvendësve tanë, të cilët virusi i mori me vete. Jam zë edhe i nënës shtatzënë dhe foshnjes së saj, zëri i të cilës nuk u dëgjua asnjëherë. Jam zë edhe i 26 vjeçarit që këputi jetën në lulen e rinisë. I lehtë ju qoftë dheu i Kosovës!

Jemi Evropianë me shekuj dhe urojmë që sa më shpejt ta heqim virusin dhe të udhëtojmë të lirë në kontinentin e vjetër.

Exit mobile version