13.6 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

Luksi nuk ka të ndalur: Këshilltarët e Gërvallës për një orë ia harxhojnë shtetit 1 mijë e 30 euro në Terminalin VIP

Që të kalonin përmes zonës VIP në Vjenë, shteti i Kosovës ka paguar 1030 euro për dy këshilltarë të ministres Donika Gërvalla. Madje, për njërin nga ta krejtësisht kundërligjshëm, pasi që është i jashtëm.

Kristian Dodaj dhe Benit Haxhosaj, këshilltarë të ministres Gërvalla, njëri politik e tjetri i jashtëm, e kanë blerë me paratë e shtetit trajtimin e VIP-it, duke shpenzuar 1 mijë e 30 euro nga buxheti i shtetit vetëm për të kaluar përmes Terminalit VIP në aeroportin e Vjenës.

Demokracia.com e ka siguruar faturën e Haxhosajt dhe Dodajt, që ua ka lëshuar për pagesë aeroporti i Vjenës më 5 maj 2022, vlefshmëria e të cilës ishte për shfrytëzim njëorësh të zonës VIP në këtë aeroport më 12 maj, nga ora 21:40 deri më 22:45.

Kjo faturë është paguar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe këtë e ka konfirmuar për Demokracia.com edhe vetë këshilltari i Gërvallës, Kristian Dodaj.

Dodaj e ka pranuar për Demokracia.com se ka udhëtuar përmes zonës VIP, përkundër që nuk ishte duke e shoqëruar ministren Gërvalla.

“Po edhe nëse nuk është një person i kabinetit i shoqëruar, këshilltari e ka të drejtën ta shfrytëzojë zonën VIP dhe nuk është diçka që ndalohet sipas rregullit. Nuk jam në dijeni të kolegut tim qysh është saktësisht e përfshirë dhe qysh janë rregullat (për këshilltarët e jashtëm). Ndërsa, sa i përket pjesës sime është kjo. Zakonisht, zona VIP në shtetet e huaja, nëse nuk je i shoqëruar me ministren/in duhesh me pagu një shumë shtesë, ndërsa për Kosovë është ndryshe. Pra, për Kosovë ajo shumë nuk kërkohet. Dmth në rastin tonë nuk ka shpenzime shtesë, thjesht ka shfrytëzim të zonës që mos me prit, siç janë procedurat e zakonshme. Dmth për Kosovë e di që nuk paguhet shtesë diçka, edhe nëse nuk është ministrja ose ministri bashkë me stafin e kabinetit. Ndërsa, në shtetet e tjera, nëse nuk është ministrja ose ministri duhet me pagu shtesë. Ndërsa, bileta ka qenë e klasit ekonomik. Ne gjithmonë udhëtojmë me bileta të klasit ekonomik”, ka thënë Dodaj për Demokracia.com.

E këshilltari tjetër i kontaktuar nga Demokracia.com, Benit Haxhosaj, i cili njëherë ishte emëruar si këshilltar politik nga Gërvalla, por pasi që ajo e kishte të plotësuar numrin e këshilltarëve të lejuar politik, më pas kishte mbetur si këshilltar i jashtëm, nuk është lajmëruar fare në telefon.

Haxhosaj nuk i kishte as një muaj emërim, para se të tentonte ta provonte trajtimin si VIP me paratë e shtetit në aeroportin e Vjenës. Ky i fundit nuk dihet nëse e ka shfrytëzuar, pasi që kishin ndërruar planet dhe e kishte shoqëruar ministren Gërvalla drejt Strasburgut po ato ditë për ta dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Sidoqoftë, këshilltarëve të jashtëm nuk u lejohet fare ta shfrytëzojnë buxhetin e institucionit, përjashtimisht rasteve kur eprori e sheh të arsyeshme dhe mund ta autorizojë pjesëmarrjen e këshilltarit të jashtëm në ndonjë udhëtim zyrtar jashtë vendit.

“7. Këshilltarët e jashtëm politikë nuk paguhen nga Buxheti i Republikës së Kosovës dhe nuk shkaktojnë shpenzime për Buxhetin e Kosovës. 8. Përjashtimisht nga paragrafi 7 i këtij neni, nëse eprori e sheh të arsyeshme mund ta autorizojë pjesëmarrjen e këshilltarit të jashtëm në ndonjë udhëtim zyrtar jashtë vendit dhe me këtë rast shpenzimet e udhëtimit do të mbulohen nga buxheti i institucionit, nëse nuk mund të sigurohet financim tjetër”, thuhet në Rregulloren (QRK) nr. 02/2021 për Fushat e Përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive.

E Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka mohuar kategorikisht që këshilltarët e Gërvallës udhëtojnë përmes zonave VIP nëpër aeroporte.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img