Site icon PrishtinaPress

Lufta në Kosovë dhe krijimi i Euro-s – cilat ishin ngjarjet më të mëdha të 25 viteve më parë

Çfarë ndodhi 25 vite më parë që ndikoi në zhvillimet botërore të çerek shekullit në vazhdim?

Që nga krijimi i Euros, tek lufta në Kosovë dhe deri tek ndërrimi i pushtetit në Rusi, le të ndjekim në vazhdim një përmbledhje të ngjarjeve më të rëndësishme që lanë gjurmë.

Me shampanjë dhe tullumbace që lëshoheshin në ajër u festua fillimi i monedhës së re Euro në 1 janar 1999.

Bashkimi Evropian pati caktuar një vit më parë njëmbëdhjetë vendet që do të bashkonin monedhat e tyre në një të vetme. U desh të pritej deri në vitin 2002 që ato vende ta fusnin Euron në qarkullim në formë fizike. Me anëtarësimin e vendeve të tjera, në Eurozonë marrin pjesë tashmë 20 vende.

Në Shtetet e Bashkuara, Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane votoi në tetor 1998 për të filluar procedurat e hetimit me qëllim shkarkimin e Presidentit Bill Clinton, pas disa muajsh debatesh rreth marrëdhënies së tij me stazhieren e Shtëpisë së Bardhë, Monica Lewinsky.

Votimi u nxit pas dy raundesh dëshmish të dhëna nga zoti Clinton. Në janar 1998, ai mohoi të kishte patur marrëdhënie seksuale me zonjën Lewinsky.

Në gusht, ndërsa ishte marrë në pyetje nga prokurori i posaçëm Kenneth Starr përpara një jurie të madhe, ai dëshmoi se ishte angazhuar në marrëdhënie të papërshtatshme me zonjën Lewinsky.

Ndaj Presidentit Clinton u ngritën akuza për shkarkim më 19 dhjetor 1998 për mashtrim të jurisë dhe pengim të drejtësisë. Gjyqi në Senat ndaj Presidentit Clinton filloi në 7 janar 1999 dhe zgjati katër javë.

Në 12 shkurt 1999, Senati e shpalli të pafajshëm zotin Clinton për të dyja akuzat. Gjatë votimit nuk u arritën 67 votat e duhura për ta shpallur atë fajtor. Vetëm 45 senatorë votuan për fajësi për akuzën e mashtrimit dhe 50 senatorë për akuzën e pengimit të drejtësisë.

Arrestimi i Abdullah Ocalanit në Kenia në shkurt 1999 shkaktoi valë dhune nga militantët kurdë në qytetet kryesore të Evropës. Zoti Ocalan, i cili pati themeluar në vitin 1978 Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), u dënua për tradhti në Turqi dhe ka qenë në burg që në vitin 1999.

Çështja e pavarësisë së Kosovës shkaktoi luftën në vitet 1998-99. Serbia filloi një fushatë brutale për të shtypur rebelimin e separatistëve shqiptarë.

“Rreziku i të vepruarit tani është qartazi më i pakët se rreziqet e mosveprimit. Rreziku se shumë më tepër njerëz të pafajshëm do të vdesin, apo se dhjetëra mijëra do të dëbohen nga shtëpitë e tyre. Rreziku se konflikti do të përfshijë dhe destabilizojë vendet fqinje”, deklaroi në atë kohë Presidenti Bill Clinton.

Lufta mes Serbisë dhe Kosovës vrau mbi 10 mijë persona, shumica shqiptarë të Kosovës. Ajo përfundoi në qershor 1999 pas një fushate 78 ditore sulmesh ajrore të NATO-s, që i detyroi forcat serbe të tërhiqen nga Kosova.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Qeveria serbe, me mbështetjen e Kinës dhe Rusisë, ka refuzuar të njohë shtetin e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe shumica e aleatëve evropianë e njohin Kosovën si vend i pavarur. Serbia dhe Kosova duhet të normalizojnë marrëdhëniet në mënyrë që të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Por, bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja që synonin t’i ndihmonin këto dy vende, kanë ngecur. Tensionet janë rritur gjatë muajve të fundit dhe bisedimet e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë nuk kanë arritur përparim.

Në gusht 1999 filloi lufta e dytë në Çeçeni dhe përfundoi me një rrethim nga forcat ruse të Groznit, kryeqytetit çeçen, i cili u shkatërrua nga bombardimet e rënda të forcave ruse. Pas vitesh luftimesh, zyrtarët rusë e deklaruan të mbyllur konfliktin në Çeçeni në vitin 2017.

Vetë Rusia përjetoi një transformim të peizazhit të saj politik ndërsa afronte fundi i mijëvjeçarit. Më 31 dhjetor 1999, ndërsa pjesa më e madhe e botës po festonte mijëvjeçarin, me një fjalim të befasishëm, Presidenti Boris Yeltsin njoftoi dorëheqjen dhe caktoi në detyrën e presidentit të përkohshëm Vladimir Putinin, kryeministrin që pati emëruar katër muaj më parë. Zoti Putin do të influenconte në vazhdim politikën botërore për gati çerek shekulli.

Në natën e ndërrimit të viteve në 1999, shumë njerëz ishin të shqetësuar nga rreziku, i mbiquajtur Y2K, që mendohej se do të vinte në momentin e mesnatës kur kompjuterat do të ndërronin datën në 1 janar 2000, duke krijuar probleme për bankat, linjat ajrore dhe një kaos më të gjerë global.

Përveç disa problemeve të vogla, ky kaos nuk u materializua ndonjëherë. Mendohet megjithatë se përpjekjet e bëra për të zgjidhur problemet e mundshme, ndihmuan për të shmangur defektet dhe se gjithashtu problemi ishte paraqitur më i madh se ç’ishte. Ndërsa hyri mijëvjeçari i ri, ndjesia festive u përjetua që nga Londra dhe deri në Kiribati./ VOA

 

Exit mobile version