Lufta e Rusisë në Ukrainë mbush 18 muaj javën e ardhshme. Një vit e gjysmë luftime, beteja, gjak, armë dhe sanksione perëndimore ndaj Rusisë. Bota ka si epiqendër Ukrainën dhe konflikti nuk është aspak afër përfundimit. Vendet aleate vazhdojnë të furnizojnë me armë Kievin, i cili është i bindur për të kryer një kundërofensivë, të cilën Moska, nga ana e saj, është e bindur se do ta zmbrapsë.
Perëndimi ka qenë goxha i bashkuar gjatë gjithë kësaj kohe, por ka ende përçarje mes tij. Hungaria ka qenë një nga vendet e paqarta, ndërsa qëndrimi i Zvicrës nuk është plotësisht bindës, pasi nuk e ka lënë plotësisht neutralitetin e saj historik.
Aktivisti dhe financieri Bill Browder është shprehur qartë për këtë dhe në një intervistë për “Aargauer Zeitung” ka theksuar se “Zvicra është pjesë e problemit”. Eksperti amerikan i ka kërkuar vendit zviceran që të aplikojë sanksione kundër Rusisë dhe të përafrohet me politikën e Bashkimit Evropian për të vazhduar izolimin financiar të Moskës.
Sipas Browder, Zvicra “duhet të jetë pjesë e botës së civilizuar kur bëhet fjalë për çështjet financiare”.
“Ne po përpiqemi ta izolojmë financiarisht Rusinë nga pjesa tjetër e botës në mënyrë që Putini të mos vazhdojë luftën e tij vrastare. Zvicra është pjesë e problemit dhe jo pjesë e zgjidhjes. Dhe për sa kohë që është kështu, unë do të bëj çmos për t’i bërë presion Zvicrës”, tha financieri amerikan.
Browder e përfundon reflektimin e tij duke shpjeguar pse, sipas tij, Zvicra nuk është një vend “i besueshëm” si aleatët e tjerë.
“Kjo mund të shpjegohet me tre pika. Së pari: sipas Shoqatës Zviceriane të Bankierëve, deri në 200 miliardë fonde ruse mbahen në Zvicër. Por, Zvicra ngriu vetëm 7,5 miliardë prej tyre; Së dyti, Zvicra nuk është e gatshme t’i bashkohet grupit të punës së G7 për të gjurmuar rusët e korruptuar; Së treti, Zvicra pengon vendet e tjera që të dërgojnë armë të prodhimit zviceran në Ukrainë. Asgjë nga këto nuk ndihmon kur Putini po bën një luftë vrastare agresioni në kontinent”, theksoi Browder.