Site icon PrishtinaPress

Lufta e pakuptimtë e LDK’së kundër Adem Demaçit, e vazhdon Driton Selmanaj

Thyrja e madhe që kishte ndodhur gjatë viteve të 90-ta mes Adem Demaçit dhe LDK-së së Ibrahim Rugovës ishte manifestuar edhe në varrimin e ish-veprimtarit politik, ku zyrtarët e LDK-së ishin të vetmit që kishin bojkotuar varrimin e Demaçit në korrik të 2018-ës. LDK-ja megjithatë kishte dërguar një telegram ngushëllimi për familjen. Një deklaratë e deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj për Adem Demaçin riktheu debatin e moçëm Demaçi-Rugova.

Selmanaj u shpreh se Adem Demaçi dhe Albin Kurti kishin hapur zyrë politike të UÇK-së në mes të Prishtinës dhe s’u ndodhi asgjë, kurse profesori dhe njëri nga themeluesit e LDK-së, Fehmi Agani dhe avokati Bajram Kelmendi ishin vrarë nga forcat serbe edhe pse i përkisnin lëvizjes pacifiste të Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

Kanë qenë të shpeshta përplasjet e zyrtarëve të LDK-së me ish-të burgosurin politik Adem Demaçi.

Edhe deputeti tjetër i LDK-së, Armend Zemaj, ishte përplasur me veprimtarin Adem Demaçi para disa vitesh duke e quajtur “monstrum me ide staliniste”, pasi Adem Demaçi kishte thënë se xhaxhai i Zemajt, Tahir Zemaj, ka qenë kontrabandues droge dhe ish-oficer i KOS-it të Jugosllavisë.

Përçarja e ka zanafillën gjatë viteve të 90-ta në kohën e apartheidit në Kosovë nga regjimi i Millosheviqit, ku Adem Demaçi kërkonte rezistencë aktive, madje kishte formuar edhe Partinë Parlamentare si opozitë e LDK-së.

Në fund të viteve të 90-ta Demaçi ishte mbështetës i krahut të luftës të udhëhequr nga krerët e UÇK-së. Ai u bë edhe zëdhënës i tyre duke hapur zyrën politike të UÇK-së në Prishtinë. 

Demaçi kritikonte në masë të madhe LDK-në dhe Ibrahim Rugovën për veprimet paqësore që ndërmerrte krahas dhunës sistematike të Serbisë mbi shqiptarët e Kosovës.

Ish-disidenti politik vdiq në korrik të 2018-ës por në ceremoninë e varrimit të tij s’ishin të pranishëm zyrtarët e LDK-së. 

Presidentja Vjosa Osmani që e ndjek linjën politike të ish-presidentit Rugova dhe kryeministri Albin Kurti që njihet për lartësimin e figurës së Demaçit tani të bashkuar ndajnë dy nga postet më të rëndësishme shtetërore. 

Kurti dhe Osmani si dy pasues të rrymave të ndryshme politike, kanë thyer tabunë e nderimit të personaliteteve që kanë ndërruar jetë. Ata së bashku kanë bërë homazhe te varri i Presidentit Ibrahim Rugova por edhe te varri i ish-veprimtarit Adem Demaçi.

Dy personalitetet, Ibrahim Rugova e Adem Demaçi janë të varrosur pak metra nga njëri tjetri në lagjen Valenia të Prishtinës./GazetaExpress/

Exit mobile version