-0.1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Lordët, qeverisë britanike: Bëni presion Kosovës e Serbisë për marrëveshjet – të krijohet shërbimi shqip i BBC-së

Komiteti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Mbrojtjes së Dhomës së Lordëve në Britani të Madhe i ka dërguar një letër Sekretarit të Jashtëm, Lordit David Cameron, pas përfundimit të hetimit të tij të shkurtër për Ballkanin Perëndimor.

Ky Komitet thotë se tensionet në Ballkanin Perëndimor janë përshkallëzuar së fundmi.

“Ka pasur përleshje të dhunshme në veri të Kosovës dhe protesta në Serbi. Në Bosnje dhe Hercegovinë, Millorad Dodik ka rritur përdorimin e retorikës secesioniste, duke vënë në rrezik paqen ndëretnike të fituar me vështirësi të arritur përmes Marrëveshjes së Dejtonit”, ka thënë ky Komitet.

Komiteti më tej thotë se pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë vazhdon të ndikojë në kontekstin e sigurisë evropiane dhe kjo ka pasoja të rëndësishme për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për shkallën dhe natyrën e fushatave dezinformuese ruse. Dëgjuam gjithashtu se përpjekjet për të trajtuar korrupsionin, për të integruar sundimin e ligjit, për të garantuar lirinë e shtypit dhe për të mbrojtur të drejtat e të kthyerve janë përkeqësuar. Në këtë situatë dinamike, ne besojmë se Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të rishikojë qasjen e saj ndaj Ballkanit Perëndimor dhe ne kemi bërë një sërë rekomandimesh për të lehtësuar prosperitetin, sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, ka thënë Komiteti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Mbrojtjes së Dhomës së Lordëve.

Ndër rekomandimet kryesore të këtij Komiteti për Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar është edhe presioni që duhet bërë Kosovës dhe Serbisë për të zbatuar marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër.

“Vazhdoni t’i bëni presion lidershipit të Kosovës dhe Serbisë për të zbatuar zotimet e përcaktuara në marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, për të cilat të dyja palët kanë rënë dakord verbalisht. Është jetike që Mbretëria e Bashkuar, me aleatët e saj në BE dhe Quint (ShBA, MB, Franca, Gjermania dhe Italia), të mbajë presion të koordinuar dhe të balancuar diplomatik për të inkurajuar të dyja palët për të normalizuar marrëdhëniet”, thuhet nga ky Komitet.

Anëtarët e këtij Komiteti kanë kërkuar po ashtu që të sigurohen fonde për krijimin e Shërbimit Shqiptar të BBC-së, ekuivalent me dispozitën serbe të BBC-së, “që do të ndihmonte për të luftuar përhapjen e dezinformatave në rajon”.

Duke komentuar letrën, Lordi Thomas Henry Ashton (Lordi Ashton i Hyde), kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Mbrojtjes, tha se është në interesin e MB-së të promovojë paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të rishikojë qasjen e saj ndaj rajonit në dritën e përshkallëzimit shqetësues të dhunës në veri të Kosovës dhe retorikës secesioniste nga udhëheqja e Republika Sërpskas në Bosnje dhe Hercegovinë”.

“Mbretëria e Bashkuar duhet të punojë ngushtë me BE-në dhe vendet e tjera të Quint-it (Italinë, Gjermaninë, Francën dhe ShBA-në) për të inkurajuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe t’i bëjë të qartë Presidentit Dodik se veprimet e tij në Bosnje dhe Hercegovinë janë e papranueshme”.

“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje qeverisë që të rivlerësojë mundësinë e ribashkimit në Operacionin Althea, misioni paqeruajtës i udhëhequr nga BE-ja në Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo do të dërgonte një sinjal të fortë të përkushtimit të qëndrueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitetin në rajon”, deklaroi Lordi Ashton i Hyde.

Në letër është kërkuar që të përdoren instrumente financimi afatgjata për programet e zhvillimit në rajon. Kjo, sipas Komitetit, do të ndihmonte në sigurimin e parashikueshmërisë për ata që ofrojnë programe dhe do t’i ndihmonte ata të planifikonin për një afat më të gjatë.

Po ashtu, kërkohet promovimi i rritjes ekonomike dhe lufta kundër korrupsionit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të thellojë lidhjet e saj ekonomike me rajonin për të nxitur rritjen afatgjatë dhe të plotësojë përpjekjet e BE-së për të stabilizuar rajonin dhe për ta integruar atë me institucionet euroatlantike. Ajo duhet të bashkërendojë sanksionet dhe programet kundër korrupsionit me partnerët e saj ndërkombëtarë për të rrëzuar kleptokracinë”, u tha në letrën e Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Mbrojtjes së Dhomës së Lordëve në Britani të Madhe.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img