2.3 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Lojë “pingpongu” ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit

Frika nga pasojat e vendimeve eventuale ka bërë që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, ia kanë proceduar njëra-tjetrës dy nga çështjet më të rëndësishme, të cilat kanë ndikuar në raportet ndërmjet drejtuesve institucionalë dhe faktorëve ndërkombëtarë në vend, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ia ka proceduar Kuvendit të Kosovës Marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, duke ia bashkangjitur edhe raportin e Komisionit të ri Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se është kundër ratifikimit të marrëveshjes aktuale.

Në anën tjetër, Kryesia e Kuvendit të Kosovës, më 22 janar, kërkesën e 43 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që njihet si Gjykata Speciale, ia ka dërguar Qeverisë së Kosovës, për të dhënë mendimin përfundimtar.

Njohësit e zhvillimeve politike, veprimet e Qeverisë dhe Kuvendit, i kanë cilësuar si “lojë pingpongu” me dy temat, siç ikanë quajtur ata, më të nxehta politike.

Politologu Belul Beqa, profesor i Shkencave Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë që Qeveria dhe Kuvendi kanë frikë nga pasojat që mund t’i sjellin vendimet, çfarëdo qofshin ato, lidhur me të dyja çështjet.

“Loja e pingpongut është shprehje e pafuqisë për vendimmarrje, ngase edhe sikur të merrej një vendim për Demarkacionin, përkatësisht për shpërbërjen e Ligjit për Gjykatën Speciale, nënkuptohet se do të ketë pasoja imediate për ata që marrin vendime. Pasojat nënkuptojnë që duhet të shpërbëhet edhe koalicioni dhe të shkohet në zgjedhje të sërishme, për të cilat asnjëra palë aktualisht nuk është e gatshme. Prandaj, po bëjnë përpjekje që sa më gjatë që është e mundur dhe në mënyrë sa më dinake të shtyhet procesi i vendimmarrjes”, thotë Beqa.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti Arton Muhaxhiri. Ai thekson që e gjithë kjo që po ndodhë ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit, është tentim për fajësim të ndërsjellë për mosmarrjen e vendimeve të mëdha.

“Nuk duan që të ballafaqohen me pasojat e atyre vendimeve. Ky është problemi kryesor dhe kemi një lloj frike, një lloj ikje nga përgjegjësia edhe nga Qeveria, por edhe nga Kuvendi i Kosovës. Të dyja këto institucione ikin nga obligimet e tyre politike dhe morale për të gjetur zgjidhje për problemet e mëdha, me të cilat ballafaqohet shteti i Kosovës dhe shoqëria kosovare në përgjithësi”, thekson Muhaxhiri.

Megjithatë, politologu Beqa beson që sido që të votohen të dyja këto çështje, pasojat janë të pashmangshme për vetë partitë politike në pushtet.

“Unë mendoj që pasojat janë të paevitueshme. Nëse shfuqizohet (Ligji për Gjykatën Speciale), pasojat do të jenë shumë më të mëdha edhe për Kosovën dhe qytetarët e saj. Dallimi është vetëm në faktin se a dëshirojmë të kemi pasoja të vogla apo të mëdha. Ndërkaq, dinakëria e tyre shkon në drejtimin e zgjatjes sa më të madhe të kohës, në të cilën do të jenë ata në pushtet. Kjo është e gjithë esenca”, vlerëson Beqa.

Analisti Muhaxhiri vlerëson se Qeveria dhe Kuvendi, duke i hedhur çështjet e caktuara te njëra-tjera, po blejnë kohë deri në momentin kur do të detyrohen të marrin vendime.

“Ky pingpongu bizar nuk mund të zgjasë në pakufi, pra, posaçërisht për sa i përket Gjykatës Speciale dhe Demarkacionit. Në momentin kur duhet guxim dhe vullnet për t’u ballafaquar me këto dy çështje madhore, Qeveria dhe Kuvendi luajnë pingpong dhe tentojnë që të blejnë kohë. Kjo bëhet në mënyrë tejet perfide dhe që të ketë një vazhdimësi në trajtimin e tyre e jo ndonjë ide për zgjidhjen e tyre konkrete, gjë që do të ishte tejet e dobishme për qytetarët e Kosovës dhe për vet Kosovën”, thotë Muhaxhiri.

Mosratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi mbetet një nga dy pengesat kryesore që kanë lënë Kosovën pa liberalizim të vizave.

Ndërkaq, nisma për shfuqizimin e Ligjit të Gjykatës Speciale, ka ashpërsuar raportet ndërmjet liderëve institucionalë të Kosovës dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në vend, veçanërisht me vendet e Kuintit. Këto të fundit, madje kanë theksuar se në rast të shfuqizimit të këtij ligji, Kosova do ta humbë mbështetjen e vendeve, të cilat janë dëshmuar si partnere dhe aleate të saj.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img