Site icon PrishtinaPress

“Logjikë e mbrapshtë”, Haziri godet qeverisjen e VV’së në Gjilan: Po e shkelin ligjin, po i frikësojnë investitorët

Kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka kritikuar qeverisjen e Vetëvendosjes në këtë komunë, duke i akuzuar për shkelje të ligjit dhe frikësim të investitorëve.

“Qeverisja lokale ka shkaktuar pakënaqësi dhe frikësim tek investitorët. Tendenca e revidimit, rishikimit dhe anulimit e kësaj administrate që udhëhiqet nga VV është logjikë e mbrapshtë. Planin Zhvillimor Komunal në Gjilan e kemi miratuar në shtatorin e vitit 2021, pas një angazhimi të madh të ekspertëve lokal dhe të partnerëve jashtë institucioneve komunale. Ky është një dokument i pandryshuar dhe ngecjet që kanë ndodhur kanë të bëjnë me mos zonimin. Asnjë hap nuk është lëvizur drejt zbatimit të detyrës së dytë. Zonimi ka impakt kryesor në përfshirjen e investitorëve banorëve dhe të gjithë të interesuarve se si do të duket lagjja, ambienti, pamja dhe e ardhmja e tyre”, ka thënë sot Haziri.

“I vetmi zhvillim që ka ndodhur është tendenca për ta anuluar PZHK-në, ku nga dy Ministrisë e linjës është kthyer si jo e ligjshme. Kjo tendencë e Komunës ka vazhduar fatkeqësisht me hapa të gabuar, duke vazhduar ta shkelin ligjin e duke shkaktuar edhe më shumë humbje të paarsyeshme dhe kokëfortësi, që për pasojë, ka shkaktuar pakënaqësi dhe frikësim tek shumë investitorë, ndërsa ardhja e tyre për të investuar as nuk vjen në shprehje me këtë ambient”.

Haziri tha se qeverisja e kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, ka logjikë të mbrapshtë, duke shtuar se projektet që i ka nisur ai sa ka qenë në krye të komunës s’do t’i lënë që të ndalen.

“Tendenca e revidimit, rishikimit dhe anulimit e kësaj administrate që udhëhiqet nga VV, është logjikë e mbrapshtë. Fatkeqësisht, nga mashtrimi i madh që është lexuar tek qytetarët, po kalojmë në dëshprimin e madh. Këtë Plan, Hartën Zonale dhe projektet tjera mund t’i vononi, por nuk mund t’i ndalni. Projektet e Gjilanit që i sollëm ne me shumë punë e angazhim, nuk do të lejojmë t’i trajtoni si projekte të huaja. LDK është gardiane e mbrojtjes së projekteve që i lamë të gatshme e të buxhetuara”.

Exit mobile version