Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Pejës, Petrit Loci thotë se 53 vjeçari që ka ndërruar jetë sot në Klinikën Infektive nuk ka shkuar në Prishtinë si i dyshuar për COVID-19.
“Pacienti në fjalë është dërguar në Prishtinë për trajtim të problemeve tjera por gjatë ekzaminimeve tjera i është bërë edhe testi i COVID-19 ku ka rezultuar pozitiv. Në raportin e ditës së djeshme të dhënë nga Instituti Kombëtarë i Shëndetit Publik pacienti në fjalë nuk ka qenë në listën e personave të prekur nga COVID-19”, deklaroi Loci për RTV Dukagjinin.
Ai thotë se pacienti në fjalë nga shtëpia e tij për në Spitalin e Pejës është dërguar në gjendje të rëndë.
“Edhe ne nga Spitali i Pejës e kemi dërguar për në Prishtinë në gjendje të rëndë shëndetësore”, tha Loci, përcjell Telegrafi.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Pejës thotë se gjatë ditës së djeshme 19 punëtorë shëndetësorë nga qendrat e mjekësisë familjare nga Peja janë testuar për COVID-19 por të gjithë kanë rezultuar negativ.
“Edhe sot kemi dërguar për testim disa mostra të punëtorëve shëndetësorë nga Spitali Regjional i Pejës ku gjatë mbrëmjes presim rezultatet e që shpresojmë të dalin negativ”, ka deklaruar ndër të tjera Petrit Loci.
Ndryshe, infektologu Valbon Krasniqi në RTV Dukagjini thotë se 53 vjeçari tashmë i ndjerë nga Komuna e Pejës pos COVID-19 kishte pasur sëmundje tjera kronike qysh nga fëmijëria.
Infektologu thotë se pjesa e madhe e pacientëve që nuk i mbijetojnë COVID-19 kanë sëmundje tjera të rënda kronike.
“Kjo dukuri është vërejtur edhe në shtetet tjera ku shumica e atyre që kanë përfunduar me fatalitet kanë pasur edhe sëmundje të rënda kronike”.
Krasniqi thotë se në 80 % të rasteve infeksioni i coronavirusit kalon me simptoma shumë të lehta por sipas tij duhet pasur kujdes për grupet e ndjeshme shoqërore që të mos rrezikohet shëndeti i tyre.