Site icon PrishtinaPress

“Llepota” i del në mbrojtje ministrit Shala që goditi gazetarin mbrëmë

Është që një muaj në arrati dhe po kërkohet nga Policia.

Por kjo nuk e ka penguar Astrit Mehmetin, i njohur si “Llepota”, që të postojë në Facebook dhe të reagojë për ngjarjet që ndodhin në Kosovë.

Ai i ka dalë në mbrojtje ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, pasi ky i fundit goditi një gazetar të martën mbrëma.

Në postimin e një portali në Facebook lidhur me sulmin e ministrit Shala ndaj gazetarit të portalit Indeksonline, ‘Llepota’ ka sugjeruar se “mirë ia ka ba” ministri që sulmoi gazetarin.

“O mirë ja ka ba se kta hajnë shumë shumë… dhe desinformojnë shumë”, ka shkruar Llepota.

Ky profil në Facebook i Astrit Mehmetit është hapur rishtazi në muajin dhjetor. Ai përmban fotografi të të dyshuarit nga Podujeva.

Dy javë më parë, drejtori i Policisë së Kosovës deklaroi se arrestimi i Astrit Mehmetit – Llepotës, është çështje orësh.

“Në momentin e parë që kemi informacion ku është Astrit Mehmeti, do ta arrestojmë. Jemi duke punuar, besoj që do të arrestohet shumë shpejt. Është cështje e hetimeve dhe verifikimit të vendndodhjes, në momentin e parë që merret vesh vendndodhja e tij, nuk ka person që është i paprekshëm, është çështje orësh ose ditësh kur do të arrestohet”, deklaroi Qalaj më 8 dhjetor.

Astrit Mehmeti kishte hapur zjarr ndaj katër rojeve të sigurimit të klubit të natës “Duplex” më 8 nëntor, teksa kishte qenë i shoqëruar nga Kushtrim Krasniqi dhe Andi Pajaziti.

Të dy shoqëruesit e tij po ashtu kishin qenë të armatosur.

Siç dëshmon një video, grupi i Astrit Mehmetit dhe rojet e sigurimit të “Duplex” ishin gjuajtur me armë zjarri në hyrje të klubit të natës. Brenda disa sekondave ishin dëgjuar të krisura armësh, të cilat kishin krijuar panikë tek qytetarët e pranishëm.

Kjo nuk ka qenë hera e parë që Astrit Mehmeti ishte përfshirë në probleme në kryeqytet.

Exit mobile version