Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese.
Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre.
Ato shpeshherë nuk kanë guxim t’i denoncojnë këto raste në Polici për shkak se përballen me kanosje serioze.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në fshatin Llapashticë e Epërme në Podujevë, ku një burrë dyshohet se pas një mosmarrëveshje ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se gruaja ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi u përballë me presionin nga burri i saj, i cili ka krijuar frikë dhe shqetësim.
Bazuar në dëshminë e saj, rasti ka ndodhur në shtëpinë e tyre dhe nuk është hera e parë, pasi viktima që disa muaj po përjeton dhunë nga bashkëshorti i saj.
Ndaj të riut që po dyshohet për dhunë në familje, Prokurori nuk ka urdhëruar masën e ndalimit policor, por vetëm inicimin e rastit dhe lirimin e tij për t’u hetuar në procedurë të rregullt.
Rastet e tilla kur burrat e dyshuar për dhunë ndaj vajzave dhe grave lirohen nuk janë të rralla dhe shpesh ka ngritur debat në opinion se organet e rendit nuk po bëjnë mjaftueshëm për këtë dukuri shqetësuese, që është kthyer në tragjedi për shumë familje./PrishtinaPress/