Site icon PrishtinaPress

Lladrovci përkujton Luanin e UÇK-së, heroin Luan Haradinaj

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përkujtuar rënien heroike të heroit Luan Haradinaj, i cili ra heroikisht në betejën e Qafës së Mullarit, para 26 vitesh.

Lladrovci i cili edhe vet ishte në kolonën të cilës i printe heroi Luan Haradinaj, ka deklaruar se “ai i printe rrugës për Kosovë, gjeneratës së legjendave të UÇK-së që përgatiste luftën që po vinte”.

Postimi i plotë:

Më 6 Maj 1997, Luani i UÇK-së, i printe kolonës së çlirimtarëve, të vendosur për të hyrë në Kosovën e robëruar. Ajo ditë, do ta përjetësonte Luan Haradinajn në hero të kombit. Ishte ditë e rëndë, e vështirë dhe e paharrueshme. Një nga njohësit më të mirë të kufirit tonë artificial, ishte Luan Haradinaj i cili si student, mësoi rrugët që çonin për Kosovë. Luani sfidonte okupatorin jugosllav duke thyer kufirin me armatime, pajisje dhe përcillte shokët që merreshin me organizimin e UÇK-së. Ai i printe rrugës për Kosovë, gjeneratës së legjendave të UÇK-së që përgatiste luftën që po vinte. Luani ishte luan i vërtetë i UÇK-së, i heshtur, i besës, i patrembur. Më 6 maj të vitit 1997, Luan Haradinaj ishte në krye të kolonës së çlirimtarëve ku bënin pjesë Ramush Haradinaj, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Selim Krasniqi, Rafet Rama, Emrush Xhemaili, Ali Ahmeti, Gani Rama, unë dhe luftëtarë tjerë.Prita e ushtrisë okupatore te Qafa e Mullarit, ishte e kobshme për neve, sepse, në luftime, e humbëm një nga bijtë më të çmuar të kombit, Luanin. Atë ditë, Ramushi mundi dhimbjen që mund të haset vetëm në legjenda. Luani ra heroikisht, por, lufta nuk u ndal. Luani nuk arriti ta shohë Kosovën e çliruar, por idealet e tij fituan dhe sot ai, është hero i kombit. Lavdi jetës dhe veprës heroike të Luan Haradinajt! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Exit mobile version