Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, iu është kundërpërgjigjur ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu pasi kjo e fundit publikoi emrat të cilët votuan Marrëveshjen e parë ndërkombëtare Kosovë-Serbi. Sipas saj, nga kjo marrëveshje Kosova përfitoi “Zajednicën”.
Lladrovci, i cili ishte në mesin e emrave të listës së publikuar, e quajti moralizim fëmijëror postimin e Haxhiut teksa shton se nuk është penduar për votën
“Sot, me një postim në rrjetin social, me moralizim fëmijëror, komenton ligjin e 27.6.2013 dhe rikthen listën e deputetëve që votuan marrëveshjen ndërkombëtare që synonte të normalizonte marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”, shkroi Lladrovci në Instagram.
“Unë isha njëri nga deputetët që votova atë ligj dhe fare nuk pendohem as kërkoj falje, siç sot kërkon Ministrja. Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, i ka hapur rrugë integrimit të serbëve të katër komunave të veriut në institucionet e Republikës së Kosovës.”, shkroi ai.
Tutje ai kërkoi disa përgjigje nga Ministrja dhe Qeveria.
“Si është gjendjen në veri, si punon Gjykata, Prokuroria, Policia, administrata në katër komunat e veriut?, Kujt i konvenon kjo gjendje?”, pyeti ai.
“Me sjelljet e pakoordinuara me aleatët, Qeveria i dha hapësirë bandave kriminale të rrezikohet seriozisht kushtetuta me pushtetin e Asociacionit madje me rrezikun e shkëputjes së veriut nga Kosova.”
Ndër të tjera ai tha se Qeverisja është përgjegjësi e jo propagandë.
“Sa merreni me vitin 2013, pse nuk i konsultoni aleatët se çka është më mirë për Kosovën, aleatët dinë më shumë se ju. Qeverisja është përgjegjësi jo propagandë. Ma kadal Ministre, mos e kapni për bishti historinë e re të Kosovës!”, përfundoi ai.