Lladrovci ka deklaruar se PDK pas 4 dhjetorit, është më e fuqishme dhe më e konsoliduar.
Ndonëse kjo është hera e parë që PDK shkon në balotazh në Drenas, ai nuk e konsideron këtë si dështim.
“PDK është partia fituese e këtyre zgjedhjeve, me një dallim të madh me subjektet tjera. Qytetarët tanë rikonfirmuan besimin e tyre të pakusht ndaj PDK-së, e cila që nga paslufta udhëheq Komunën e Drenasit”, ka thënë Lladrovci në një intervistë për telegrafi.com.
“Më 4 dhjetor, ne morëm garanci nga qytetarët tanë se jemi në rrugë të drejtë për fitoren e madhe, edhe përkundër faktit që u përballëm me disa subjekte konkurruese të cilat ishin pothuajse të gjitha derivate të Partisë Demokratike. Ata konkurruan duke e shfrytëzuar emrin dhe autoritetin e PDK-së dhe u munduan ta vënë në lajthitje elektoratin tonë, por qytetarët i radhitën ata, njërin pas tjetrit, në listën e humbësve”, ka deklaruar ai.
Ramiz Lladrovci, i cili në raundin e parë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Drenasit ka marrë 9,270 vota, ose 45.56 për qind, do të garojë në balotazh me Isa Xhemajlajn e Nismës për Kosovën, i cili ka marrë 5,333 vota, ose 26.21 për qind.
Balotazhi do të mbahet më 18 dhjetor dhe Lladrovci është i bindur në fitoren e tij.
“Fitorja ime në balotazh është e padiskutueshme. Jam i bindur se 18 dhjetori do të jetë datë kur do të shënohet fitorja e madhe e PDK-së në Drenas, sepse qytetarët tanë besojnë në vizionin dhe programin tonë zhvillimor. Drenasi nuk mund të ndjekë shembullin e Komunës së Malishevës, ku qeveris Nisma, një komunë kjo që vuan nga moszhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor”, është shprehur ai.
Lladrovci ka pohuar se sot ka nevojë më shumë se kurrë për zhvillim ekonomik, hapje të vendeve të reja të punës, përmirësim të infrastrukturës, si dhe përmirësim të shëndetësisë e arsimit në komunën e Drenasit.
Sipas tij, PDK është garanci për qytetarët e Drenasit, sepse ka vizionin dhe platformën më të mirë qeverisëse.
“Prandaj, balotazhin e 18 dhjetorit nuk e konsideroj tjetër pos datë, që do të rikonfirmojë fitoren e madhe të PDK-së në Drenas. Edhe një herë falënderoj të gjithë qytetarët për pjekurinë e tyre të lartë politike që treguan dhe i ftoj që të bëhen pjesë e fitores së madhe me votën e tyre për PDK-në”, ka thënë Lladrovci. /Telegrafi/
Lladrovci: Drenasi nuk do të zgjedh të vuaj si Malisheva
Kandidati i PDK-së për Kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, thotë se qytetarët e Drenasit kanë treguar kulturë të lartë politike gjatë zgjedhjeve të së dielës dhe vlerëson se mbarëvajtja e këtij procesi ishte me shumë rëndësi, si për Drenasin, ashtu edhe për Kosovën.