Liverpooli ka shënuar fitore me përmbysje ndaj Southamptonit, derisa skuadra kampione do të vendoset në xhiron e fundit.
Në xhiron e 37-të dhe të parafundit në Premier Ligë, skuadra e drejtuar nga Jurgen Klopp shënoi fitore 1:2.
Nathan Redmond (13’) kaloi fillimisht vendasit në epërsi, teksa Takumi Minamino (27’) dhe Joel Matip (67’) shënuan golat e fitores për “Të Kuqtë”.
Liverpooli me 89 pikë renditet i dyti në tabelë, me një pikë më pak se Manchester City, që është lider në kampionatin anglez.
Kësisoj, se cila skuadër do të fitojë titullin e kampionit në këtë sezon do të mësohet në javën e ardhshme.
Manchester City e pret Aston Villan, teksa Liverpooli luan me Wolvesin në shtëpi gjithashtu.
Southamptoni me 40 pikë ndodhet në pozitën e 15-të.