Luis Diaz do t’i mungojë Liverpoolit për një kohë të gjatë, pas lëndimit që e pësoi në gju të dielën, në ndeshjen ndaj Arsenalit.
Kolumbiani iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore këtë të hënë, që konfirmuan edhe shkallën e tij të lëndimit.
Sipas “The Athletic”, ky lëndim do ta lë Diazin jashtë deri pas përfundimit të Kampionatit Botëror “Katar 2022”.
Kësisoj, sulmuesi do t’i mungojë Liverpoolit në dhjetë ndeshjet e ardhshme, të cilat skuadra angleze do t’i zhvillojë para fillimit të Botërorit.
Megjithatë, lajm i mirë është se 25-vjeçari nuk do të ketë nevojë për operim.
Kështu, Luis Diaz pritet të jetë i gatshëm për “Boxing Day” në Premierligë.
Padyshim se kjo është një goditje e madhe për Liverpoolin, pasi skuadra e drejtuar nga Jurgen Klopp nuk e ka nisur aspak mirë sezonin në elitën e futbollit anglez.
“Të Kuqtë” ndodhen në pozitën e dhjetë në tabelë, me vetëm 10 pikë të grumbulluara deri më tani.