Liverpooli është duke shfaqur interesim të madh për anësorin egjiptian, Ibrahim Adel, i cili po cilësohet si “Mohamed Salah i ardhshëm”.
21-vjeçari është aktualisht në klubin egjiptian, Pyramids, por është përfolur për një lëvizje në Evropë për më shumë se një vit, që kur bëri debutimin e tij për skuadrën egjiptiane.
Një mori klubesh evropiane kanë ndjekur përparimin e tij dhe shumë besojnë se ai është ylli i ardhshëm i Egjiptit.
Vetë Salah besohet se është siguruar që shefat e tij në Liverpool të jenë të vetëdijshëm për talentin e Adel, sipas raportimit nga 90Min.
Adel ishte subjekt i një oferte nga skuadra daneze FC Nordsjaelland gjatë verës. Ata u përpoqën ta blinin atë me një ofertë prej 2 milionë eurosh, por kjo nuk iu përshtat klubit Pyramids, i cili kërkon të paktën 5 milionë euro, plus shtesat.
Arsenal, Brentford, Brighton dhe Nottingham Forest po ashtu janë ndër klubet që kanë kthyer sytë tek lojtari egjiptian.
Adel ishte pjesë e skuadrës së Egjiptit, e cila përfundoi si nënkampion në Kupën e Kombeve të Afrikës 2021./Prishtinapress/