Site icon PrishtinaPress

Liverpooli e mposht Norwichin, Rashica shënon golin e parë në Premierligë

Liverpooli e ka mposhtur Norwichin me rezultat 3:1 në kuadër të javës së 26-të në Premierligë, teksa Rashica la gjurmë duke shënuar golin e parë në elitën e futbollit anglez.

Milot Rashica realizoi golin e parë në Premierligë, ndërsa tani numëron gjithsej dy gola me fanellën e Norwichit. Tjetrin gol, ylli kosovar e realizoi në FA Cup.

Madje, mysafirët ishin të parët që kaluan në epërsi, pas një pjese të parë pa gola të shënuar.

Rashica zhbllokoi shifrat në minutën e 48-të, kur një goditje e tij jashtë zone, u devijua, për ta mashtruar portierin Alisson, me ç’rast topi përfundoi në rrjetë.

Megjithatë, gëzimi i “kanarinave” zgjati vetëm 16 minuta, shkruan Gazeta Express.

Fillimisht Sadio Mane barazoi rezultatin në minutën e 64-të me një gol akrobatik, pas asistit nga greku Tsimikas.

Nuk vonoi shumë dhe tre minuta më pas, Mohamed Salah përmbysi gjithçka. Egjiptiani pranoi një pasim nga Alisson dhe më pas e mposhti portierin kundërshtar për ta kaluar Liverpoolin në epërsi.

Për rezultatin përfundimtar 3:1 u përkujdes transferimi i ri “Reds”, Luis Diaz i cili realizoi në minutën e 81-të me mjaft elegancë.

Me këtë fitore, Liverpooli shkon në kuotën e 57 pikëve në vendin e dytë, gjashtë më pak se Manchester City.

Në anën tjetër, Norwichi bie në vendin e fundit me 17 pikë të tubuara.

Exit mobile version