Site icon PrishtinaPress

Listës Serbe i “djeg” arrestimi i serbit të dyshuar për krime lufte në Kosovë, e cilësojnë si frikësim nga Kurti

Zlatko Arsiq është serbi i arrestuar dje. I njëjti është arrestuar nën dyshimin për krime lufte kundër shqiptarëve.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar dje se ai dyshohet që në mars të vitit 1999, në stacionin policor në Kamenicë, si person zyrtar, bashkë me policë të tjerë serbë fillimisht kishin rrahur “me shufra gome dhe shqelma”, e më pas kishin torturuar në mënyrë çnjerëzore të dëmtuarin me inicialet B.M.

Sipas Prokurorisë, i dëmtuari kishte pësuar lëndime të rënda dhe i ishte “kanosur seriozisht jeta” gjatë dhunës së ushtruar që thuhet se ka zgjatur për një orë e gjysmë.

Po ashtu, ai dyshohet se në periudhën shkurt-mars 1999, ka marrë pjesë në “dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj ka filluara të bëjë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve, ai ka vënë zjarrin, si dhe ka marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë”.

Në lidhje me arrestimin e tij ka reaguar sot edhe Lista Serbe.

Nga Lista Serbe kanë deklaruar se Arsiq është arrestuar “pa u paraqitur asnjë provë që flet për fajësinë e tij”.

Madje ata këtë arrestim e kanë cilësuar si “frikësim i Kurtit ndaj serbëve”.

“Gëzimi i ministrit Xhelal Sveçla, i cili flet për kënaqësinë e drejtësisë dhe fajin e Arsiq para çdo vendimi gjyqësor, shqetëson të gjithë serbët dhe të gjithë ata që duan të besojnë në ligj dhe drejtësi”,u tha nga Lista Serbe, transmeton prishtinapress.net.

Lista Serbe madje u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të nisin procedurat për të kërkuar llogari nga Sveçla dhe këdo tjetër që paraprakisht e ka shpallur fajtor atë.

Exit mobile version