Lista Serbe ka akuzuar ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, se e ka “kërcënuar” kreun e kësaj partie, Goran Rakiq.
Ky reagim i Listës Serbe partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit erdhi pasi Sveçla tha se Rakiq dhe “bandat kriminale” , përmes barrikadave të ngritura në veri, po bllokojnë qytetarët dhe policët e Kosovës.
Sveçla po ashtu e akuzoi Listën Serbe, se po “armatos bandat brenda barrikadave”.
“Pa asnjë dëshmi për akuzat e tij, ministri i [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit, që udhëheq njësitë e armatosura speciale, që deri më tash kanë treguar urrejtjen ndaj gjithçka që është serbe, bëri kërcënimin më direkt ndaj përfaqësuesit ligjor dhe legjitim politik të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë dhe Metohi”, u tha në deklaratën e Listës Serbe.
Lista Serbe tha se Sveçla dhe Kurti janë “përgjegjës për situatën në të cilën jemi sepse për muaj keni bërë represion ndaj popullatës së pafajshme serbe”.
“Pas këtij kërcënimi direkt të Kurtit dhe Sveçlës, ne ju themi atyre se do t’i mbajmë përgjegjës në rast se rrezikohet siguria fizike e Rakiqit apo çdo qyteti tjetër”, tha Lista Serbe./rel