Site icon PrishtinaPress

Lista Serbe: Refuzojmë ultimatumin e Prishtinës, nuk i braktisim lokalet tona serbe

Ka mbetur edhe një ditë deri në përfundimin e afatit të dytë që inspektorët komunal të Mitrovicës së Veriut u kanë dhënë institucioneve serbe për të dorëzuar dokumentet për regjistrimin e shërbimeve ose në të kundërtën të largohen nga objektet që janë në pronësi të Komunës. Lista Serbe edhe sot po thotë se do ta refuzojë këtë “ultimatum të Prishtinës” për t’u larguar nga lokalet e “institucioneve serbe”.

Është një ndërtesë që ndodhet në Mëhallën e Boshnjakëve, ku ndodhet e ashtuquajtura zyre serbe për Kosovën, Qarku Kosovë-Mitrovicë, pastaj Qendra për Punë Sociale në Vushtrri, si dhe Zyra e Drejtorisë së Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, të gjitha këto institucione ilegale të instaluara nga shteti fqinj, Serbi.

Në fund të muajit gusht, kjo ndërtesë, si dhe disa të tjera ku ndodhen strukturat tjera ilegale serbe, dy herë është vizituar nga inspektorët e Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, i cili është edhe drejtor i njërës prej institucioneve të lartpërmendura ilegale serbe, inspektorët i dhanë një procesverbal me afat prej tre ditësh për të nxjerrë dokumentacionin e nevojshëm për kryerjen e shërbimeve ose për të liruar objektin në Mëhallën e Boshnjakëve, i cili është në pronësi të Komunës.

Më 25 gusht, kur skadoi afati treditor, kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, e shtyu për dy javë lirimin e objekteve komunale.

Fakti që afati i ri është 8 shtatori u vërtetua më pas me një dokument, i cili ishte vënë në derën e ndërtesës në Mëhallën e Boshnjakëve në të njëjtën ditë.

Tash, një ditë para skadimit të këtij afati, Lista Serbe sërish thotë se refuzon, sipas fjalëve të tyre, “ultimatumin e regjimit në Prishtinë” për t’u larguar nga objektet e përmendura, mirëpo as nuk e përmendë nxjerrjen e lejes së punë për kryerjen e shërbimeve.

Njëkohësisht, kjo parti kërkon që çështja “të zgjidhet në dialog mes Kosovës dhe Serbisë”, pra përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke pretenduar se kjo është paraparë me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.

Sipas tyre, “ky është vetëm qëllimi i Prishtinës që me çdo kusht të vazhdojë përshkallëzimin e situatës në veri”.

Synimi i Prishtinës, shtojnë nga kjo parti, është që të “pushtojë” këto objekte.

Hyrja e strukturave kosovare në këto ndërtesa, pretendojnë ata, “do të kërcënonte ushtrimin e të drejtave njerëzore dhe qytetare për dhjetëra mijëra njerëz”.

“Përndjekja dhe pushtimi me dhunë i kësaj ndërtese do të kërcënonte realizimin e të drejtave të njeriut dhe qytetare për dhjetëra mijëra njerëz në fushën e mbrojtjes sociale të shtresave të popullsisë më me nevojë”, pretendohet në kumtesë e Listës Serbe./Paparaci.com

Exit mobile version