Site icon PrishtinaPress

Lista Serbe edhe në pushtet, edhe në opozitë!

Ministrat nga Lista Serbe në Qeverinë e Kosovës po vazhdojnë t’i kryejnë detyrat e tyre, ndërkohë që deputetët e këtij subjekti politik kanë kaluar në ulëset e opozitës. Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se nuk i ka pranuar dorëheqjet e ministrave serbë dhe se pret kthimin e plotë të Listës Serbe në pushtet.

Ani pse Lista Serbe ka deklaruar se është larguar nga koalicioni qeverisës dhe që nga ajo kohë deputetët serbë janë radhitur në ulëset e opozitës në Kuvend, ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës janë duke e kryer detyrën e tyre, megjithëse nuk po marrin pjesë në mbledhjet e ekzekutivit.

Kështu zëvendëskryeministri dhe ministri për Kthim e Komunitete Dalibor Jevtiq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Ivan Teodosijeviq, dhe Nenad Rikalo ministër i Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Zhvillimit Rural, po vazhdojnë të kryejnë detyrën në këto dikastere qeveritare, shkruan më tutje gazeta “Zëri”.

Kjo është konfirmuar dje nga kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se ministrit serbë vazhdojnë të qëndrojnë në krye të detyrës pasi ai nuk e ka pranuar dorëheqjen e tyre.

Kurse njohësit e çështjeve politike këtë veprim të Listës Serbe e shohin si një lëvizje strategjike në këmbim të plotësimit të kushteve.

Ata thonë se Lista Serbe në këtë mënyrë po i shfrytëzon pozitat udhëheqëse në Qeveri, ndërkohë që në Kuvend koalicioni qeverisës s’mund të llogarisë në votat e tyre.

Exit mobile version