1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Lista Serbe drejt ndarjes

Transformimi i Listës Serbe nga një iniciativë qytetare në parti politike, e ka vënë para përçarjes këtë subjekt politik që përfaqëson komunitetin serb të Kosovës në institucionet e vendit. Dy përfaqësues të kësaj Liste, Slavko Simiq dhe Aleksandar Jabllanoviq, secili veç e veç, kanë parashtruar dokumentacionin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për regjistrim të Listës Serbe si parti politike. Javën e kaluar brenda këtij subjekti politik, janë shënuar përplasje, madje edhe në prani të medieve.

Por, Slavko Simiq, deputet i Kuvendit të Kosovës, i cili thotë se e kryeson Listën Serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shpjeguar se të premten e kaluar ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dokumentacionin e nevojshëm për transformimin e iniciativës qytetare në parti politike, me emrin, siç e quan ai, autentik, “Lista Serbe”.

“Kemi dorëzuar nënshkrimet autentike të 1 mijë e 650 qytetarëve nga i gjithë territori i Kosovës. Pastaj, kemi dorëzuar edhe programin e partisë, statutin e partisë, si dhe themeluesin e partisë, me nënshkrimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, si dhe anëtarëve të Qeverisë, deputetëve dhe kryetarëve të komunave nga Lista Serbe. Kështu që, në të ardhmen, partinë Lista Serbe do ta rregullojnë dhe kompozojnë pikërisht qytetarët që do të kenë të drejtë që të marrin pjesë në organet e Kuvendit dhe të përpiqen që ta japin kontributin e tyre për fuqizimin e autoritetet të Listës Serbe përmes institucioneve qendrore dhe lokale”, tha Simiq.

Ai ka shtuar se tashmë është njoftuar se edhe Aleksandar Jabllanoviq, ka dorëzuar dokumentacionin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për transformim të Listës Serbe nga iniciativa qytetare në parti politike.

Megjithë përpjekjet e Radios Evropa e Lirë për ta kontaktuar Jabllanoviqin, ai ka qenë i paqasshëm. Megjithatë, në momentin kur Lista Serbe ishte regjistruar në vitin 2014, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si iniciativë qytetare, në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë, ky subjekt mbante firmën e Jabllanoviqit. Ky subjekt kishte përfshirë anëtarët e partive të ndryshme dhe grupet politike të serbëve, për të marrë pjesë në zgjedhje si të unifikuar.

Slobodan Petroviq, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë se, megjithatë, Jabllanoviq është personi që ka themeluar këtë subjekt dhe ai ka të drejtën të jetë trashëgimtar i partisë që dhe pas transformimit nga iniciativa qytetare.

“Sipas ligjit, në bazë të së cilit formohen iniciativat qytetare, zoti Jabllanoviq, në njëfarë mënyre, është edhe pronar i asaj iniciative. Ai është themeluesi i vetëm i asaj iniciative qytetare. Ndërkaq, se çka po ndodh krejt këtu, kush po e themelon partinë, njëri apo tjetri grup, kjo për mua është e parëndësishme. Unë që nga dita e parë kam thënë se njerëz mjaft joserioz dhe jopërgjegjës janë në pozita mjaft të përgjegjshme. Mendoj se është dëm mjaft i madh, para së gjithash për bashkësinë serbe, por edhe për të gjithë qytetarët, sepse kemi humbur tre vjet duke u marrë me atë se kush dhe në çfarë mënyre do të vijë në pozitë”, tha Petroviq.

Por, Simiq thotë se Jabllanoviq nuk do të mund ta regjistrojë subjektin e ri me emrin Lista Serbe.

“Nuk mundet. Ne e kemi mbajtur plotësisht emërtimin autentik “Lista Serbe” dhe në qoftë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e verifikon kërkesën tonë, atëherë ky komision nuk mund ta lejojë Jabllanoviqin që të regjistrojë të njëjtin subjekt. Pra, të gjitha autorizimet e iniciativës qytetare ‘Lista Serbe’ kalojnë në partinë Lista Serbe”, tha Simiq.

Por, a po shënon ky moment përçarjen e Listës Serbe?

Petroviq, thotë se kjo mbetet të shihet edhe më tej, por sipas tij, ndarjet brenda këtij subjekti kanë ekzistuar edhe më parë.

“Lista Serbe që moti është e ndarë në disa grupime, por tash vetëm ka kulmuar dhe ka dal në proces të formimit të dy e ndoshta edhe më shumë partive. E kam të paqartë krejtësisht të paqartë se si sillen në këtë mënyrë njerëzit që kanë marrë mandat nga qytetarët që t’i mbrojnë interesat e tyre e ata po i rrezikojnë interesat dhe perspektivën e tyre. Të gjithë këtu kanë pjesë të përgjegjësisë, dikush më shumë e dikush më pak”, tha Petroviq.

Sidoqoftë, Lista Serbe është themeluar në vitin 2014 me mbështetjen politike të Beogradit zyrtar. Ky i fundit, pas plasaritjeve brenda këtij subjekti politik, ka deklaruar se e mbështet Slavko Simiqin, si kryetar të Listës Serbe.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img