-1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Lista esenciale, Dreshaj: Është banale që në QKUK mungojnë penjtë e gjilpërat

Derisa po diskutohet për zgjerimin e listës esenciale të barnave, Qendra Klinike Universitare  vazhdon të ketë pothuajse gjatë gjithë vitit mungesë të herëpashershme, të disa barnave nga lista esenciale e barnave.

Edhe këto barna të cilat janë në listën e tanishme, janë blerë nga pacientët, si pasojë e mungesës së tyre në QKUK. Barnat e listës esenciale gjinden në treg, vetëm se me çmime shumëfish më të larta. Tregu me barnat e listës esenciale vazhdon nga barnatoret dhe depot, të cilët shfrytëzojnë mungesën e tyre në institucionet përkatëse, duke përfituar  nga pacientët hallexhinj.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia pas një diskutimi publik lidhur me listën e  re të barnave esenciale ditë më parë ka thënë se lista e barnave esenciale të prezantuara, i ngjason asaj të OBSH-së.

“Kjo listë paraqet një listë të nevojave esenciale, efikase, të sigurta dhe efektive. Komiteti profesional është në përbërje të profesionistëve, të cilëve si Ministri ju falënderohemi për punën e bërë. Puna e komitetit ka qenë voluminoze”.

Por halli i qytetarëve nuk qëndron tek zgjerimi i listës, por tek mungesa e këtyre barnave në Klinikat e QKUK-së.

Anëtari i Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës Shemsedin Dreshaj, thotë për “Indeksonline” se shteti duhet t’i ketë në listë të barnave esenciale, barnat të cilat mund t’i siguroj gjatë tërë vitit.

“Shteti duhet t’i fut në listën menaxhuese barnat që ka mundësi t’i siguroi, e jo të fut barnat të cilat i dëshirojmë por nuk kemi mundësi që t’i sigurojnë. Lista esenciale nënkupton listën e barnave që ministria është e obliguar t’i siguroi çdo ditë të vitit, në secilin institucion shtetëror”, tha ai.

Ndërsa thotë se mungesa e barnave në QKUK e skandale tjera në shëndetësinë kosovare, vazhdojnë të ndodhin, pasi që shëndetësia nuk është prioritet i Qeverisë.

“Shëndetësia nuk është prioritet qeveritar, prandaj ndodhin tërë këto skandale duke mos pasur barna duke mos pas një menaxhim të mirëfilltë. Realisht në situata të këtilla dhe furnizimi me barna nuk priten të jetë adekuat, apo ai i duhur. Secili  bar i cili sigurohet duhet të jetë barë për 365 ditë, sa i ka viti e jo të jetë për dy tre muaj, e pastaj të mungojë. Lista esenciale paraqet listën obligative të barnave që MSH duhet obligohet që ta sigurojë gjatë tërë vitit”, tha ai..

Dreshaj ndër të tjera thekson se  nuk është në rregull që në QKUK vazhdojnë herë pas herë të mungojnë dhe gjërat minore si penjtë fashat e gjilpërat,  ndërsa të flitet për sigurim të barnave të cilat kanë kosto milionëshe.

“Ndaj Onkologjia është një lëmi e dhimbshme sa i përket furnizimit, por ka një kosto shumë të lartë dhe nuk është mirë që neve të na mungojnë penjtë ose të na mungojnë gjilpërat, për trajtimin e pacientëve. Ndërsa ne të sigurojmë barna të cilat kanë kosto milionëshe. Unë jam pro asaj që të rritet buxheti të rritet cilësia e shërbimit dhe njëkohësisht që të furnizohen të gjithë me atë çfarë kërkojnë, por nuk është në rregull  që për diçka banale dikush duhet të dalë për me kërku një anestetik për një anestezion, ose një fashë ose një gjilpërë ose një penj, i cili vërtetë ka çmim minor, krahasuar me një bari i cili vërtetë ka një kosto të lartë. Kjo nuk duhet të interpretohet, se jam duke bërë seleksionim në raport me nevojat e arsyeshmërisë së furnizimit. Mirëpo jam duke bërë prioritizim brenda për brenda asaj, që emërtohet listë esenciale”, tha ai./Indeksonline/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img