Site icon PrishtinaPress

Lirohet një grup i personave të karantinuar në Qendrën e Studentëve, do të vetizolohen në shtëpi

Pas 14 ditësh qëndrimi në  karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë kanë filluar të dalin disa nga  personat të cilët kishin ardhur në Kosovë pas 3 muaj qëndrimi në Gjermani, të cilët pas testimit për COVID-19 kanë rezultuar negativë.

Ky grup i personave do të  vazhdojnë vetizolimin në shtëpitë e tyre.

Njëri prej personave i cili qëndroi në Qendrën e Studentëve, Fatmir Sallaj tha se do ta vazhdojnë vetizolimi edhe në shtëpi.

“Trajtimi ka shkuar mirë, pas testimit të gjithë kemi dalë negativ dhe duhet të vazhdojmë edhe më tutje izolimin në shtëpi, tashmë jemi duke i pritur me dalë”, tha ai, raporton EO.

Shyhrete Morina nga Suharekë e cila ka qëndruar 14 ditë në izolim në Qendrën Studentore thotë se kushtet nuk kanë qenë të mira.

“Kam ardhur nga Gjermania. Mirëpo nuk jam ndarë e kënaqur me kushtet në Qendrën Studentore, nëse nuk kujdesesh vet askush nuk kujdeset për ty”, u shpreh ajo.

Në karantinën e Qendrës së Studentëve janë mbi 500 persona të karantinuar, ku sot pritet të lirohen 95 persona si dhe ditëve në vijim edhe të tjerë, pasi IKSHPK të ketë bërë testimin e tyre sipas radhës.

Infektologu Izet Sadiku ka thënë dje se ky është grupi i tretë që po testohen.

“Sot është testuar edhe grupi i tretë i personave të vendosur në Karantinë në Qendrën e Studentëve. Janë testuar 95 persona për COVID19 dhe të gjithë janë negativ!”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Kujtojmë se dje nga 36 testime, 35 persona kanë dalë negativ, ndërsa një person tjetër ka dalë pozitiv.

Personi që ka dalë pozitiv është dërguar në Klinikën Infektive bashkë më personin tjetër që ka qëndruar në dhomë gjatë kohës së karantinimit.

Exit mobile version