Është liruar të premten pasdite nga ndalimi policor mjeku Ibrahim Hoti, i cili ishte arrestuar të enjten, për shkak të mos dhënies së ndihmës mjekësore një pacienti.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm ka njoftuar se mjeku Ibrahim Hoti, i cili ishte ndaluar më 15.04.2021, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, në drejtim të veprës penale “Mosdhënia e ndihmës mjekësore”, nga neni 255 të KPRK-së, i njëjti, më 16.04.2021, në orën 17:30, është liruar në procedurë të rregullt.
Mjeku Ibrahim Hoti, i cili punon mjek specialist i pulmologjisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, ishte arrestuar të enjten në mbrëmje, pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku ai shihej duke refuzuar të ofronte kontrollin për një pacient, pasi i kishte mbaruar orarin e punës.