Site icon PrishtinaPress

Lirohet mielli në Kosovë, buka jo

Ka një muaj që Feride Hyseni thotë se e gatuan vetë bukën për familjen e saj 5-anëtarëshe, që jeton në Fushë Kosovë.

Kjo është më e leverdishme për të, pasi çmimi i miellit është liruar.

“Nga 16 euro sa i kam blerë para disa muajsh, tash 25 kilogramë miell i blej me 13.50 euro”, thotë Feridja.

“Buka në qytetin e Fushë Kosovës kushton nga 50 deri në 60 centë. Ky çmim është i shtrenjtë, pasi ne i konsumojmë katër bukë në ditë, që kushtojnë 2 euro. Për 60 euro në muaj, unë kam llogari të gatuaj, pasi nuk punoj”, thotë ajo.

Agim Maloku, i cili punon në një kompani private në Prishtinë dhe paguhet 250 euro në muaj, thotë se familja e tij 3-anëtarëshe e blen bukën.

“Çmimi i bukës duhet të ndryshojë, sepse duhet të shkojë në proporcion me miellin”, thotë ai.

Çmimi i një buke prej 500 gramësh në shumicën e qyteteve të Kosovës ka mbetur 50 centë prej muajit korrik të vitit të kaluar – kur është rritur nga 40 centë sa ka qenë deri atëherë – ndërkohë që çmimi i miellit është në rënie.

Kosova është përballur me rritje çmimesh të produkteve dhe shërbimeve që nga fundi i vitit 2021, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Hov, pastaj, u ka dhënë edhe pushtimi rus i Ukrainës, i cili ka nisur në fund të shkurtit, 2022.

Si Rusia, ashtu edhe Ukraina janë ndër eksportueset më të mëdha të drithërave në botë dhe lufta mes tyre ka shkaktuar çrregullime në tregje.

Pse nuk ka rënë çmimi i bukës?

Pronari i një furre buke në Prizren thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimi i bukës ka mbetur i pandryshuar, sepse nuk ka blerë ende miell me çmim më të lirë.

Ai thotë se edhe pasi të blejë sasi të reja mielli, zbritja e çmimit të bukës do të jetë e vështirë, për shkak të, siç thotë, shtrenjtimit të faturave të energjisë elektrike dhe rritjes së pagave të punëtorëve.

Aktualisht, në furrën e tij punojnë shtatë punëtorë dhe paga e tyre sillet nga 500 deri në 1.000 euro.

“Nuk e di se si do t’i ulim çmimet, si të paguhen punëtorët, faturat e rrymës… Kjo e vështirëson buxhetin e biznesit”, thotë Kalanderi.

Nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës konfirmojnë se çmimi
i miellit është në rënie.

Kryetari i saj, Bashkim Zejnullahu, thotë se nga 52 euro sa kanë kushtuar 100 kilogramë miell në fillim të vitit, ata aktualisht blihen me 40 deri në 44 euro.

“Tregjet botërore kanë ndikuar në uljen e çmimit, hapja e tregut ukrainas e ka bërë të vetën. Pasi është liruar çmimi i grurit, jemi detyruar ta lirojmë miellin”, thotë Zejnullahu.

Çfarë thonë ekspertët e ekonomisë?

Në momentin kur lirohet lënda e parë, bizneset duhet të reflektojnë edhe te produkti final, thotë profesori i lëndës së Makroekonomisë dhe Mjedisit në Biznes në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skenderi.

“Në periudhën e fundit kemi një rënie të çmimeve të vajrave, derivateve të naftës, grurit, miellit… por, nga aspekti i tregut, nuk kemi ndonjë luhatje në këtë kontekst. Ndoshta, në raste të caktuara, kemi edhe ngritje të çmimit, pasi ato [bizneset] po e marrin si pretekst ngritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe atë përqindje të rritjes po e reflektojnë te çmimi i bukës”, thotë Skenderi.

Nga fillimi i këtij muaji, në Kosovë kanë hyrë në fuqi fatura të reja të energjisë elektrike – për 15 për qind më të shtrenjta.

Skenderi, megjithatë, thotë se nuk është e drejtë që çmimi i bukës të mos bjerë dhe kërkon nga autoritetet përgjegjëse që ta inspektojnë tregun dhe të marrin masa.

“Kemi një inflacion abuzues nga ana e furrtarëve dhe prodhuesve të tjerë të bukës. E gjithë kjo ndodh para syve të Autoritetit të Konkurrencës dhe Inspektoratit të Tregut”, thotë ai.

Nga Autoriteti i Konkurrencës thanë se kanë bërë monitorime në disa rajone të Kosovës, më ç’rast kanë konstatuar se ka çmime të ndryshme të bukës, varësisht prej furrës, marketeve në lagje dhe qendrave tregtare.

Për mundësinë e keqpërdorimit të çmimeve ose ndonjë marrëveshjeje eventuale në mes të prodhuesve të bukës, ky autoritet tha për REL-in se pritet ta inspektojë tregun dhe nëse gjen parregullsi, “do të reagojë sipas detyrës zyrtare”. Detaje të tjera nuk dha.

Kosova nuk arrin t’i plotësojë nevojat e popullatës me miell dhe grurë, andaj edhe importon sasi që kapin vlerën e miliona eurove – kryesisht nga vendet fqinje.

Vitin e kaluar, Kosova e ka përmbyllur me normë mesatare të inflacionit gati 12 për qind. Nga Banka Qendrore e Kosovës kanë paralajmëruar se rënia e inflacionit do të vërehet në pjesën e dytë të vitit.

 

Exit mobile version