Janë liruar nga paraburgimi dy mjekët e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, kirurgu Luan Mustafa dhe anesteziologu Halil Basha, të dyshuar për marrje ryfsheti.
Lajmin për lirimin e tyre e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Sabit Shkodra.
Pak para përfundimit të masës së paraburgimit prej një muaji, prokuroria ka kërkuar masën e arrestit shtëpiak ndaj tyre, por gjyqtari ka refuzuar këtë kërkesë dhe të njëjtit janë liruar.
“Sa i përket pyetjes tuaj për të pandehurit, Luan Mustafa dhe Halil Basha, me datë 26.05.2023 Prokuroria Themelore në Gjilan, ka paraqitur kërkesë për zëvendësimin e masës së paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak. Gjyqtari i procedurës paraprake me datë 26.05.2023, ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për zëvendësimin e masës së paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit Shkodra për Express.
Tutje, në përgjigjen e tij thuhet se gjyqtari ka konstatuar se duhet të ndërprehet masa e paraburgimit, “ngase kanë pushuar se ekzistuari arsyet ligjore që të njëjtit edhe më tutje të qëndrojnë në paraburgim”.
“Gjyqtari i çështjes pas pranimit të kërkesës nga ana e prokurorisë dhe pas shikimit me kujdes të shkresave të lëndës, konstatoi se ndaj të pandehurve të lartcekur, duhet të ndërprehet masa e paraburgimit, ngase kanë pushuar se ekzistuari arsyet ligjore që të njëjtit edhe më tutje të qëndrojnë në paraburgim, pasi që janë marr – kryer të gjitha hetimet paraprake për rastin konkret”, thuhet në përgjigjen e Shkodrës.
Policia e Kosovës kishte njoftuar se mjekët u arrestuan nën dyshimet se kanë kryer veprën penale “marrje ryfsheti”, për të kryer një ndërhyrje.
Sipas policisë, anesteziologu dyshohet se kishte kërkuar ryshfet në vlerë prej 100 euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje.
Ndërsa kirurgu dyshohet se kishte marrë, lidhur me ndërhyrjen 330 euro, ndërsa, sipas policisë, kishte kërkuar edhe 200 euro shtesë.
Të njëjtit fillimisht ishin ndaluar për 48 orë, më pas atyre iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Arrestimi i tyre ishte bërë gjatë kujdestarisë, teksa për rastin nga Krimet Ekonomike ishte njoftuar edhe Drejtori i Spitalit të Gjilanit Arsim Emini, në mënyrë që ta organizojë orarin e kujdestarisë në spital.