Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot pritet të kthehet në Kosovë, pas vendimit që ka marrë Gjykata në Colmar të Francës për lirimin e tij.
Ndërkohë, pas vendimit për lirimin e tij, kanë reaguar parti politike, si dhe institucione të tjera në Kosovë e më gjerë.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), vendimin e Gjykatës Franceze për lirimin e Ramush Haradinajt, e ka cilësuar si lajm të gëzueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Sipas tyre, ky vendim, konfirmon se aktakuzat e Serbisë kundër luftëtarëve të UÇK-së janë të pabaza, të padrejta, “dhe kanë synime manipuluese politike dhe janë tendencë e hapur për zhytjen e rajonit në destabilitet dhe konflikte”.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka thënë se lajmi për lirimin e Ramush Haradinajt është një lajm i mirë për Kosovën dhe kombin shqiptar.
Sipas tij, ndalimi në Francë dhe mbajtja e tij për muaj të tërë ishte padrejtësi jo vetëm ndaj Ramushit, por ndaj gjithë luftës çlirimtare të UÇK-së.
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur nga Serbia. Fletë-arrestet e kësaj të fundit ndaj gjithë atyre që luftuan për çlirimin e Kosovës duhet të marrin fund. Qeveria duhet ta kërkojë urgjentisht një gjë të tillë”, ka shtuar Visar Ymeri.
Lirimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka përshëndetur edhe kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli.
Ai ka thënë se drejtësia sot ka folur.
“Urime Ramush, urime Kosovë. Drejtësia sot ka folur. Të presim”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, ka thënë se e ka pranuar me kënaqësi lajmin se drejtësia franceze mori “më në fund vendimin e duhur për Ramush Haradinajn, duke e lënë atë të lirë për t’u kthyer në atdhe. Vendimi i sotëm është drejtësia e plotë, pas shumë javësh qëndrimi në Francë”.
Sipas tij, urdhërarrestet e Serbisë janë jo vetëm padrejtësi personale ndaj njerëzve si Ramushi që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës, “por njëkohësisht sulm ndaj vetë pavarësisë, ndaj Republikës së Kosovës dhe integritetit të saj politik”.
Gjithashtu edhe Partia “FJALA”, ka uruar lirimin e ish – kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt.
Edhe “NISMA për Kosovën”, ka mirëpritur dhe përshëndetur vendimin e Gjykatës së Colmarit, për lirimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, duke e liruar atë nga të gjitha akuzat e paraqitura nga autoritetet e Serbisë.
Ish-kryeministri Haradinaj po akuzohej nga Serbia për krime lufte gjatë vitit 1998 dhe 1999.
Haradinaj është mbajtur në Francë me fletarrest të Serbisë që nga muaji janar i këtij viti.