Janë raportuar detaje ekskluzive për ecurinë për zbardhjen e vrasjes së rëndë të 30-vjeçares, Liridona Ademaj në natën e 29 nëntorit në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë teksa po udhëtonte me burrin e saj, Naim Murseli si dhe fëmijët e tyre.
I dyshuar për vrasjen e Liridonës u arrestua vetë Naim Murseli dhe Granit Plava i cili dyshohet se u dakordua me Naimin për një shumë prej 30.000 euro për të kryer vrasjen e bashkëshortes së tij.
Gazeta Sinjali ekskluzivisht mëson se pak kohë para vrasjes së Liridonës, Murseli ishte shpërngulur nga Suedia për të jetuar në Kosovë.
Shpërngulja e tij nga Suedia drejt Kosovës kishte ndodh në muajin qershor. Dy muaj më parë, në Kosovë për të jetuar erdhi edhe e ndjera Liridona.
Ajo erdhi për të jetuar në vendlindjen e saj, me arsyen që mos ta lë të vetëm burrin e saj, të dyshuarin kryesor për vrasjen që tronditi vendin.
E njëjta la punën dhe krejt jetën e saj në Suedi, vetëm dhe vetëm që të bashkohet me burrin e saj – bashkim ky që doli të jetë fatal për të.