0.6 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Liria që nuk e priti çlirimin e Kosovës

Liria u vra, u dogj dy herë për t’u mos u identifikuar më. Trupi i njomë i vajzës gjashtëmuajshe, ani pse i bërë shkrumb, do të jetë gjithmonë dëshmi e fortë e krimeve serbe të kryera në Kosovë.

Nuk e priti çlirimin, por trupi i saj dhe i 53 të tjerëve, gjaku i të cilëve ende nuk është tharë mirë në muret e shtëpisë në Poklek të Drenasit, janë vet dokumentimi i gjenocidit serb të kryer në vendin tonë.

Lirie Muqolli u lind në luftë dhe lufta e mori. Kjo është viktima më e re e cila tregon se Serbia nuk kurseu askënd. Ajo nuk priti as përvjetorin e lindjes, por që babai i saj vazhdon të numërojë përvjetorët e masakrimit të saj.

Përveç saj, në po të njëjtën ditë, serbët vranë e masakruan edhe nënën e saj dhe motrën, Florentinën tri vjeçe. Babai Qamili humbi për një natë të gjithë familjen e tij.

“Unë i kam këtu të vrarë 14 anëtarë, dy prindërit, katër motrat, familja e vëllait, gruaja me katër fëmijë, gruaja ime me dy vajzat, 14 i kam veç të familjes së ngushtë. Janë afër 50 edhe të familjes së axhallarëve e të kushërinjve… I kam dy vajzat, Florentinën dhe Lirinë…Liria ka qenë gjashtë muajsh, Florentina ka qenë 3 vjet…Ato ditë, ajo ditë, ai moment nuk përshkruhet me kurrgjë hiç. Një natë më herët i kam lënë 20 anëtarë, kur jam kthyer nuk e kam gjetur askënd, çka me thënë”, thotë ai.

Në përvjetorin e çlirimit të Kosovës, ai nuk është i lirë shpirtërisht. Ai ishte njeriu i parë që takoi trupat e bërë shkrumb në shtëpinë në Poklek të Drenasit.

Të gjithë këta trupa tashmë janë të varrosur në një varr.

“Kur ka ndodhur ngjarja këtu ne nuk kemi qenë këtu, ne kemi qenë të veshur kemi qenë ushtar, ne e kemi ditur që familjarët na kanë dalë krejt prej fshatit, diku në gjysmë të rrugës i kanë kthyer dhe i kanë sjell këtu, gjithë familjen edhe familja e Ymer Elshanit ka qenë. I kanë pru këtu dhe e kanë kryer krimin. Fillimisht ua kanë hedhur një bombë, ka hy me breshëri të plumbave, i ka djegur më shumë se një herë. Kam qenë njeriu i parë që kam ardhur këtu pasi ka ndodhur … kur kam ardhur këtu kanë qenë të vrarë, kanë qenë të djegur, po kanë qenë pjesërisht të djegur. Kur kemi ardhur tani i kam lajmëruar ushtarët tjerë, shokët tjerë, kemi ardhur këtu me pa i kishin djeg edhe një herë ose dy herë të tjera, kocka më e madhe ka qenë sa me thënë 3 cm ose 4 cm, nuk ka qenë kocka më e madhe”, thotë ai.

Në shtëpinë e cila është kthyer në dëshmi të krimit serb, gjaku i trupave nuk është tharë ende, por kjo nuk po mjafton që drejtësia të zë vend. Pikërisht për këtë të fundit edhe babai Qamili po lutet çdo ditë.

“Atë dhomën poshtë ende gjaku është i freskët. Gjaku nuk është terur ende dhe me siguri ata gjak lyp diçka, lyp drejtësi… Me u lyp kriminelët, me u zbulu kush kanë qenë ata, jo veç këtu, po krejt Kosovën. Janë bërë më shumë se 400 masakra edhe kush u dënu, nuk e di që është dënuar dikush që ka bë masakër në Kosovë. Kërkesa jonë është me fillu njëherë si shtet me bë diçka për këto viktima, për këta të vrarë, për këta gjak që është derdhur”, thotë ai.

Madje, ai thotë se do të jetë i qetë vetëm atëherë kur do të ketë drejtësi për të gjithë dhe kriminelët do ta marrin dënimin e merituar.

22 vjet më parë në fshatin Poklek të Drenasit, ushtria serbe ka vrarë, masakruar e djegur 53 civil shqiptar të familjeve Muqolli, Elshani, Caraku e Hoxha, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë, ku më e vogla ishte Liria gjashtë muajsh. Sot 22 vjet pas, pikërisht në oborrin e shtëpisë ku ndodhi e gjithë ngjarja është mbajtur ceremoni për shënimin e Ditës së Paqes./kp

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img