Zv/kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka ftuar edhe njëherë qytetarët e Kosovës që t’i kthejnë sytë nga prodhimet vendore. Ndërsa ka thënë se institucionet publike e kanë për obligim që të lidhin marrëdhënie kontraktuese me prodhues vendorë.
Ministritë përkatëse, zv/kryeministri Limaj ka thënë se duhet të përqendrohen te prodhimet vendore. Këto komente Limaj i bëri gjatë një vizite në Parkun e Biznesit në Drenas. Më tutje, Limaj tha se nga ajo që ka parë në këtë park, tregon se ekonomia e vendit ka lëvizur, pavarësisht problemeve me të cilat është ballafaquar.
“Pamë prodhime vendore nga duart e njerëzve tanë, intelektualëve tanë dhe kjo më jep shpresë dhe vullnet se, nëse këta njerëz do ta kenë mbështetjen dhe kujdesin aq sa ka mundësi të japë shteti, ata do të vazhdojnë t’i fuqizojnë produktet e tyre dhe kështu do të mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës, dhe mbi të gjitha që është qëllim i përbashkët; rritjen e mirëqenies së vendit tonë”, ka thënë zv/kryeministri Limaj. Sa u përket shqetësimeve që i kanë bizneset në këtë park, Limaj ka thënë se ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, do të marrë masa lehtësuese për eliminimin e barrierave për ata të cilët përballen. Limaj ka ftuar pronarët e barnatoreve në Kosovë që t’u japin hapësirë prodhimeve farmaceutike vendore, duke shtuar se nëse mungon vullneti për ta bërë këtë gjë, atëherë do të bëhet me ligj.
“Duke qenë se janë prodhues vendorë, duhet ta kenë një mundësi për ekspozim të produkteve në barnatore të Kosovës. Nuk është mirë që këto kompani farmaceutike të prodhojnë dhe në barnatore të shohin pak produkte medicinale vendore. Farmacistët ngurojnë të shesin produkte vendore në farmacitë e tyre dhe kjo logjikë duhet të hiqet. Ashtu siç po e bëjmë për prodhimet vendore në markete, e njëjta masë do të përdoret edhe për produktet farmaceutike. Prodhimet tona vendore duhet ta kenë vendin e vet. Nëse ata nuk kanë vullnet, do ta bëjmë me ligj”, ka theksuar zv/kryeministri Limaj. ndërsa ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se nga ky muaj do të lirohet qiraja për 50% për bizneset që operojnë në këtë park, duke treguar kësisoj vendosmërinë e qeverisë për t’i përkrahur bizneset në Kosovë.
Ministri Hasani ka thënë se ka vetëm një lutje për prodhuesit vendorë dhe ajo është; ngritja e cilësisë së produkteve që ata i prodhojnë.