Site icon PrishtinaPress

Lihen në paraburgim tre fëmijët që vranë babin në Durrës: Djali ndryshon dëshminë, vajza tregon bisedën e fundit

Tre fëmijët e Pëllumb Metës u lanë në burg nga Gjykata e Durrësit, që vlerësoi të ligjshëm arrestimin e tyre.

Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare dhe fshehje e asgjësim i kufomës, kryer në bashkëpunim, janë akuzat që rëndojnë ndaj Hygerta, Hysen dhe Amarildo Metës.

Prokurorja i vlerësoi të përgjegjshëm të tre, po përtej fjalëve të ftohta për pendesë e keqardhje, ata u shfaqën të qetë gjatë seancës.

Në seancë, djali i madh, Hysen Meta mohoi vrasjen e të atit dhe u shpreh se motra e tij e vogël e ka kryer këtë krim.

“Nuk ka shkak fare se nuk e kam bërë. Të flasë ai që e ka bërë. Kam parë që motra e vogël ka qëlluar babanë. Motra ka pas konflikte. Një nga arsyet se donte ta fejonte me zor dhe kishin debatuar shumë herë”, u shpreh ai.

Hygerta Meta tregoi se i ati ishte i dhunshëm dhe disa herë kishte kërcënuar se do t’i vriste, por nuk e kanë denoncuar nga frika se mund t’i vriste.

“Më kishte thënë nëna se na kërcënonte se do na vriste, por nuk e kisha dëgjuar deri atë ditë, të enjten. Të shtunën e vrava, sepse kisha frikë ngaqë i refuzova fejesën për herë të dytë. Unë e kisha mirë ta vrisja, sepse e dija kur vinte nga puna, dija çdo lëvizje. Mora armën, ai erdhi nga puna ishte duke pushuar. Ishte me kurriz, i shtrirë. Mora armën në dhomën ngjitur dhe ia drejtova. U kthye nga unë, por nuk u habit kur më pa me armë në dorë, më tha vetëm ‘Ik andej’. Dhe unë e qëllova, dy metra larg tij. (Duke qeshur) Jam penduar, por është diçka që s’ka kthim mbrapa”, tha ajo, raporton EuronewsAlbania.

Ndërsa, djali i vogël i Pëllumb Metës, Amarildo, tha se nuk ka qenë në dijeni të ngjarjes, pasi ka qenë në punë.

“S’kam qenë në dijeni të ngjarjes. Kam qenë në punë. E dija që kishte konflikte me mamin e motrën, po unë nuk i kam parë vetë. Më ka thënë motra që donte ta fejonte me zor. Jo babi”.

Sipas hetimeve, plumbat e kanë kapur Pëllumb Metën një në kokë, një poshtë veshit, një tjetër në gjoks dhe një në bark. E reja mori përsipër krimin dhe deklaroi se veproi e vetme duke shfajësuar vëllezërit dhe të ëmën. Ajo tregoi se groposi të atin në kasollen e lopës dhe zhvendosi automjetin e tij disa kilometra larg banesës, në rrugën që lidh Shënavlashin me sektorin Rinia, për të larguar dyshimet nga banesa e saj. Megjithatë, hetimet nxorën në dritë të tjera fakte. Vrasjen e kreu djali. Ekzekutimi ka ndodhur në një dhomë të shtëpisë dhe më pas trupi është zhvendosur në kasollen, që ndodhej në oborr.

Exit mobile version