Kreu i parlamentit britanik, John Bercow, tha se marrëveshje e cila është hedhur poshtë dy herë nga deputetët nuk mund të vihet prap në votim nëse nuk pëson ndryshime thelbësore.
Qeveria britanike po shqyrton përgjigjet e mundshme ndaj këtij vendimi.
Ministri britanik i Brexit-it, Stephen Barclay, tha se qeveria do ta “shqyrtojë vendimin në detaje”.
Në anën tjetër udhëheqësit evropianë do të takohen gjatë kësaj jave për të diskutuar mundësinë e shtyrjes së Brexit-it.
Por, megjithatë zyrtarë evropianë thonë se gjithçka rreth këtij procesi do të varet nga vendimet që merren në Londër.
Procesi i daljes së britanisë nga Bashkimi Evropian është paraparë të ndodhë më 29 mars megjithatë ligjvënësit britanikë kanë votuar për mundësinë e shtyrjes së këtij afati.
Mirëpo, ata kanë hedhur poshtë dy marrëveshje të cilat kryeministrja, Theresa May, i ka negociuar me zyrtarët e Bashkimit Evropian.
Ligjvënësit britanikë gjithashtu kanë votuar kundër daljes së Britanisë ndaj BE-ja pa një marrëveshje si dhe kundër një referendumi të dytë për Brexit-in.