Një nga bashkëkryetarët e Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin amerikan, ligjvënësi Ritchie Torres, foli për të ardhmen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi.
Ai thotë se Uashingtoni nuk duhet të veprojë sikur të jenë një ndërmjetës neutral, në kushtet kur Kosova është një aleat i Shteteve të Bashkuara, ndërsa Serbia i Rusisë. Ndaj për Torres, sfida reale për përmbylljen e dialogut mes dy vendeve, mbetet afërsia e Beogradit me Moskën.
Pjesë nga intervista e Zërit të Amerikës me Torrer:
Zëri i Amerikës: Sa i përket Kosovës, kohët e fundit, për shkak të luftës në Ukrainë, kemi parë një vëmendje të shtuar të Perëndimit për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. A shihni ndonjë mundësi reale që mund të ndodhë diçka së shpejti në këtë drejtim?
Ritchie Torres: Unë jam pesimist sepse mendoj se është e rëndësishme që të kuptojmë kontekstin. Shtetet e Bashkuara nuk duhet të veprojnë sikur të jenë një ndërmjetës neutral. Kosova është një aleat i Shteteve të Bashkuara, ndërsa Serbia është një aleat i Rusisë, dhe kjo është një dinamikë që ne duhet ta pranojmë sikurse është. Duhet të pranojmë se Serbia është një nga vendet e pakta që është besnike ndaj Rusisë, në një kohë kur Rusia ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe ka sulmuar shtetin sovran të Ukrainës, dhe kjo për mua është e papranueshme. Ky për mua është një problem. Ndaj unë shoh si një sfidë reale për përmbylljen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, afërsinë e Serbisë me Rusinë.
Zëri i Amerikës: Ju keni mbështetur nevojën që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s. A mendoni se vendi është gati për këtë hap?
Ritchie Torres: Kosova, për mua është shtet i pavarur dhe është koha që bota ta njohë pavarësinë e Kosovës. Është koha që çdo vend i NATO-s dhe çdo vend i Bashkimit Evropian të njohë pavarësinë e Kosovës dhe Kosova të mirëpritet në familjen e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ndaj unë jam plotësisht mbështetës i njohjes ndërkombëtare të saj.Është koha që çdo vend i NATO-s dhe çdo vend i Bashkimit Evropian të njohë pavarësinë e Kosovës
Zëri i Amerikës: Kongresmen Torres, agresioni rus ndaj Ukrainës ka krijuar një kontekst të ri në Ballkanin Perëndimor. A jeni i shqetësuar ju për ndikimin rus në rajonin e Ballkanit, dhe potencialin për destabilitet e tensione në këtë rajon?
Ritchie Torres: Për mua agresioni rus është një shqetësim dhe kjo është arsyeja pse ne po mbështesim popullin ukrainas në luftën e tyre për liri. Ne kemi një interes të madh të shohim që Ukraina të mposhtë Rusinë. Shpresoj se Rusia do të dalë nga lufta edhe më dobët nga sa ka qenë më parë.