Site icon PrishtinaPress

Ligji për Investime Strategjike nis jetësimin, aplikon investitori i parë

Kompania me kapital gjermano-kosovar “Solar Kosova 20-20” është investitori i parë që ka dorëzuar aplikacionin për statusin e investitorit strategjik, në kuadër të Ligjit për Investime Strategjike.

Ky projekt, që është në fushën e energjisë së ripërtritshme, kap shifrën e 130 milionë eurove dhe do të jetësohet deri në vitin 2021.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se është një ditë e rëndësishme për Qeverinë e Kosovës, pasi Ligji për Investime Strategjike po jetësohet.

Hasani ka thënë se është interes i Kosovës, pasi në këtë projekt do të ketë mbi 500 të punësuar.

“Ne sot pranuam aplikacionin e parë, pas një pune të madhe që kemi bërë, pas marrjes së detyrës për ta jetësuar Ligjin për Investime Strategjike. Natyrisht se është një ditë e rëndësishme për Qeverinë e Kosovës që po pranojmë aplikacionin e parë të statusit të investitorit strategjik. Sipas projektit që na është dërguar nga kompania ‘Jaha Group’, me energji alternative, që ka një kapacitet 150 megavat prodhim dhe 20 megavat janë bateri ruajtëse. Ky projekt kap shumën 130 milionë euro. Implementimi i këtij projekti sipas projeksionit parashihet të përfundohet në vitin 2021. Gjatë këtij projekti, natyrisht kemi thënë se interes i joni është edhe rritja e numrit të të punësuarve dhe njëkohësisht parashihet që diku mbi 500 punëtorë do të marrin pjesë gjatë implementimit. Kjo kompani ka mbështetje nga partnerët gjermanë, pasi që pronari i kompanisë është shtetas gjerman, që vjen nga diaspora kosovare”, ka thënë Hasani në konferencën me gazetarë.

Hasani i ka ftuar investitorët e huaj dhe vendorë që të aplikojnë, pasi sipas tij, ligji ofron shumë mundësi të mira.

“Edhe një herë ju bëjmë thirrje investitorëve që të aplikojnë dhe ta përdorin këtë mundësi që ofron Kosova për bizneset e huaja dhe vendore, që të avancojnë në prodhim dhe rritjen e vendeve të punës. Është një mundësi e jashtëzakonshme që ofron Kosova”, ka thënë ministri Hasani.

Ndërsa, zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike ka thënë se janë përfunduar të gjitha udhëzimet administrative dhe rregulloret, që sot pra të kemi mundësi që të pranojmë aplikacionin e parë me këtë ligj.

Gashi ka thënë se është bërë një punë e madhe nga ministri Hasani dhe KIESA, që ligji të jetësohet.

“Është kënaqësi e veçantë që sot po e pranojmë aplikacionin e parë në kuadër të Ligjit për Investime Strategjike. Më shumë se një vit kanë kaluar prej kur në parlamentin dhe në qeverinë e kaluar është miratuar ky ligj, pas një pune të madhe që ka bërë ministri Bajram Hasani me ekipin e tij dhe me KIESA-n, janë përfunduar të gjitha udhëzimet administrative dhe rregulloret, që sot pra të kemi mundësi që të pranojmë aplikacionin e parë me këtë ligj. Pjesa tjetër që është e rëndësishme është që kompania e parë që po aplikon është kompani vendore me kapital të huaj, mirëpo do të thotë konzorcium vendor edhe një projekt i rëndësisë së veçantë, sepse është projekt në energji të ripërtritshme, me solar, do të thotë, projekti i parë i këtij lloji në Kosovë”, ka thënë Gashi.

Investitori që morri aplikacionin a parë, Fadil Hoxha, ka thënë se synimi është që ta zhvillojnë një industri të veçantë në Kosovë, duke u zotuar që nuk do të jetë aplikacioni i parë që do ta dorëzojnë.

Hoxha ka bërë thirrje edhe tek investitorët tjerë që të aplikojnë dhe t’i shfrytëzojnë mundësitë që i ofron ligji.

“Ne si investitor jemi të lumtur që ka ardhur një kohë që në vendin tonë të krijohen kushte shumë të mira për investime. Ne jemi prodhues të paneleve solare dhe kapitali i fabrikës tonë është i përzier, gjerman dhe kosovar. Projektin apo konceptin që e kemi dorëzuar sot është konsercium i kompanive vendore. Kompania që do ta udhëheqë këtë projekt quhet ‘Solar Kosova 20-20’. Synimi ynë është që ta zhvillojmë një industri të veçantë, që nuk e kanë shtetet tjera për rreth. Me një projekt të tillë ne jetësojmë diçka të veçantë për vendin tonë dhe mund të them lirisht që do të jemi edhe udhëheqës të kësaj industrie edhe më gjer sesa në vendin tonë. Përgëzoj ministrin Hasani dhe zëvendëskryeministrin Gashi dhe gjithë Kosovën. Unë po besoj se tani unë mund të zotohem se nuk do të jetë hera e parë dhe e vetmja që brenda këtij viti do të aplikojmë për investitor strategjik dhe me Odën Gjermane jemi të interesuar që të aplikojmë përmes ligjit dhe se qeveria jonë do të ketë punë të madhe këtë vit dhe se viti 2018 do të jetë vit i Ligjit për Investime Strategjike”, ka thënë Hoxha.

 

Përfaqësuesja e Odës Ekonomike Kosovaro-Gjermane, Nora Hasani ka thënë se është e rëndësishme që gjatë implemnetimit të projektit të inkuadrohen edhe partner të tjerë, që sipas saj, është një mundësi e mirë që të testohet ligji.

“Është kënaqësi që aplikuesi i parë është presidenti i Odës Gjermane dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë vendin tonë. Për ne si odë është e rëndësishme që gjatë implementimit të këtij projekti do të inkuadrohen edhe partnerë dhe institute të njohura dhe financimi do të bëhet nga Bankat Gjermane. Kjo është një mundësi e mirë që ta testojmë ligjin dhe kjo të jetë një tregim i suksesit, sepse përmes këtyre investimeve do të rriten vendet e punës”, ka thënë ajo.

 

Exit mobile version