-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Ligji i ri për diasporën konsiderohet i domosdoshëm

Në Republikën e Nord-Rhein Westfalen të Gjermanisë, ligjërohet gjuha shqipe si lëndë zgjedhore, si pjesë e shkollës gjermane. Edhe pse e kanë të ndarë emërtimin si “Shkolla Shqipe në Dusseldorf”, nuk e cilësojnë veten institucion të pavarur.

Rreth 300 nxënës shqiptarë nga klasa një deri në të dhjetën, që zgjedhin gjuhën shqipe si lëndë zgjedhore, mund të ndjekin mësimin mbasdite në shkolla në orare të caktuara. Por, për këtë shkollë nuk ndahen fonde nga Kosova.

Ligji i ri për Diasporën që akoma po zvarritet e nuk është gati, shihet si një mundësi për një bashkëpunim më të mirë mes diasporës dhe vendit të tyre. Në këtë formë do krijohej një kanal i përshtatshëm për shkëmbim.

“Nuk ndahen fonde nga Kosova për mësimin shqip në Republikën tonë, por ministria e arsimit këtu, ndan fonde për secilin nxënës, fonde me të cilat ne porosisim libra shqip këtu në Gjermani”, tha Marigona Sefedini, koordinatore për mësim shqip në Dusseldorf.

Ani pse nga shkolla thonë që librat i porositin vetë, Ministria e Arsimit më 12 tetor ka nënshkruar kontratë me shtëpinë botuese “Dukagjini” në vlerë 80 mijë euro, për të blerë 1,800 libra të Abetares si dhe Abetare Pune dhe 500 copë tekste shkollore: ‘Shko Dallëndyshe’, Fjalor me Figura, teksti Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare me fletore pune, për Diasporën.

Në republikat tjera të Gjermanisë, mësimi shqip zhvillohet vetëm në formën private, apo kurse.

Sefedini thotë që më parë kanë organizuar shëtitje në Kosovë me nxënësit me anë të Ministrisë së Diasporës në Kosovë, por jo më.

Verën e këtij viti, kryeministri Albin Kurti premtoi fond për diasporën, si dhe libra për mësimin e gjuhës shqipe që tha se do të bëhen bashkë me Shqipërinë.

“Qysh në fillim kemi promovuar dialogun me mërgatën, brenda 2 vjetëve kemi arritur t’i përditësojmë mbi 20 qendra ku jeton mërgata. Gjithashtu e kemi përfshi diasporën në hartimin e politikave”- tha Kurti.

Kurti shtoi që po dizajnojnë një fond për diasporën si mundësi e mirë është kjo me të gjitha shoqatat institute për të adresuar sfidat… të mos asimilohen, e mos të harrojnë gjuhën.

Forcimi i mërgatës kanë qenë një nga zotimet e kësaj qeverie, ku si rezultat edhe nëpër ministri kanë zënë vend ministra që janë rritur në diasporë, si edhe vetë ministrja Gërvalla.

Çështje prioritetesh

Pas bashkëdyzimit të institucionit qendror të diasporës me atë të politikës së jashtme, fjalët kanë qenë që do të ketë një përqendrim të madh në bashkëpunimin me mërgatën.

Pavarësisht zotimeve, akoma nuk ka Ligj të ri mbi tavolinë që ndjek një trajektore që do forconte më tej lidhjet e mërgatës me Kosovën.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz tha që Ligji për Diasporën nuk është prej ligjeve esenciale, dhe se ende nuk e kanë gati.

“Nga një pjesë e spektrit jo vetëm medial dhe të opozitës unë akuzohem shumë pse fokusohem aq shumë te diaspora edhe gjoja paskam lënë mënjanë punët tjera”, tha ajo.

Gërvalla arsyetohet me argumentin që prioritetet për diasporën më së pakti kanë të bëjnë me Ligjin, më së shumti çështje e një strategjie të vendosur jo vetëm nga Ministria, por nga Qeveria dhe institucionet në përgjithësi.

Përmes shoqatës së tij të shqiptarëve në Wil, në kantonin e Cyrihut, Zvicër, i riu Betim Salijaj i bashkon komunitetin shqiptar, që mos ta harrojnë kulturën shqiptare, por edhe të njohin kultura të reja përmes aktiviteteve socio-kulturore.

Megjithatë, ai këtë e bënë nga vullneti i tij i mirë, krahas punës së tij si inxhinier dhe angazhimeve tjera.

Salijaj i cili është shumë aktiv në jetën politike në të dy anët, thotë që nuk ka marrë asnjëherë ndonjë fond nga Kosova.

“Unë nuk besoj që ndihmojnë aq sa premtojnë. Edhe besoj që nuk ndihmojnë hiç. Veç e di që e mbështesin Lidhjen e Prindërve dhe Arsimtarëve në kanton”- tha ai.

Salijaj thotë që në vendin ku ai jeton janë 400 nxënës shqiptarë prej klasës 1 deri të 5, por vetëm 8 veta shkojnë në shkollë shqipe, për shkak se shumë keq e organizuar.

“Ne kemi hap tash shkollën tonë, na duhet me reformu vetë”, tha ai.

Bazuar në të dhënat nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, mbi 35% të të gjithë popullsisë kishte emigruar në Gjermani dhe më pas në Zvicër me rreth 23% si dhe në Itali mbi 7%. Por, edhe pas luftës ka pasur migrime të shumta për ne vendet perëndimore, por nuk ka të dhëna për shkak se akoma nuk është bërë regjistrimi i popullsisë.

Ndërkaq, Lirim Krasniqi, bashkë-drejtor Ekzekutiv në organizatën që merret me diasporën, “Germin” thotë që Qeveria është vonuar paksa në përgatitjen e këtyre dokumenteve, duke pasur parasysh që kane kaluar gati 3 vite nga fillimi i mandatit të Qeverise.

“Ne jemi aktualisht në pritje të publikimit të drafteve të strategjisë dhe ligjit për konsultim publik, në mënyre që të komentojmë përmbajtjen e tyre”, tha Krasniqi.

Diaspora ‘e mban’ ekonominë e Kosovës

Fundviti kufijtë e Kosovës i ka zënë me mijëra mërgimtarë që kanë marrë rrugë për në atdheun e tyre. Gjatë kohës që qëndrojnë në atdhe, është më se e qartë që ata shpenzojnë shumë aq sa shpenzimi i tyre rritë të hyrat e Kosovës.

Diaspora është një nga kontributdhënësit kryesor në zhvillimin ekonomik, shoqëror e politik të Kosovës. Remitancat e mërgimtarëve, kanë ndikim të madh në ekonominë e Kosovës, marrë parasysh që Kosova është një ndër vendet me më së shumti diasporë.

Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2023, diaspora ka dërguar në Kosovë rreth 635 milionë euro remitanca, duke shënuar rritje prej 13%, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2022, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës. Vitin e kaluar, ka arritur në 1.2 miliard euro.

Sipas ministres, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka krijuar programe të posaçme për të sjellë ekspertizën nga mërgata në Kosovë.

“Ne çojmë në vazhdimësi, çfarë duhet të çojmë ne, speca nuk mund të çojmë në mërgatë se nuk ka nevojë. Nuk është e varur mërgata jonë nga fondet dhe grantet tona”- tha ajo.

Një vit më parë, Gërvalla kishte thënë që kur t’i vie radha do e hudhin në votim këtë ligj.

“Ne u përpoqëm ta nxjerrim në votim të përshpejtuar por nuk patëm sukses se opozita nuk na mbështeti”- kishte thënë ajo në dhjetor të vitit të kaluar në intervistë për KALLXO.com.

Me ndryshimin e kompetencave të Ministrisë së Diasporës dhe avancimit të kornizës ligjore për diasporën, atëkohë Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike (MDIS) në vitin 2018, pati ka inicuar Projektligjin për Diasporën, draft i cili parashikon obligimet dhe zotimet e Qeverisë së Kosovës ndaj këtij komuniteti.

Ministria e Diasporës, në vitin 2017, kishte filluar përpilimin e Projektligjit për Diasporën, por pas ndryshimeve në ekzekutiv, projektligji ishte kthyer në pikën zero.

Ky ligj synonte krijimin dhe rregullimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe diasporës, përcaktimin e statusit të pjesëtarëve të diasporës, mbrojtjen ose përkujdesjen për të drejtat sociale, politike, kulturore, ekonomike.

Me këtë projektligj parashihej krijimi i kushteve për ruajtjen dhe mësimin e gjuhëve zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhët e komuniteteve të tjera, në të cilat zhvillohet sistemi arsimor në Kosovë, ne pajtim me kurrikulën përkatëse të vendeve ku pjesëtarët e diasporës janë në numër më të madh dhe ku është një shtrirje më kompakte, apo ku ka interes të veçantë shtetëror.

Ndër të tjerash, planifikohet shpërndarja e librave të veçantë në vendet ku jeton dhe vepron diaspora e Kosovës, për mësimin dhe përparimin e gjuhëve zyrtare dhe të kulturës së Kosovës dhe në gjuhët e komuniteteve të tjera, në të cilat zhvillohet sistemi arsimor në Kosovë, duke mos përjashtuar edhe libra letrarë, kulturorë dhe të trashëgimisë kulturore të Kosovës, me karakter edukativo-arsimor.

Për Mërgatën veçse ekziston një Ligj i cili ka përkufizuar qendrat kulturore të diasporës, mësimin plotësues në diasporë dhe krijimin e lidhjeve ekonomike në mes të Diasporës dhe Kosovës.

Për të njohur rëndësinë e kontributit të tyre, Qeveria e Kosovës në vitin 2011 themeloi Ministrinë e Diasporës. /Kallxo.com/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img